Rumania dhe Polonia ngrenë avionët e luftës në alarm pas sulmeve ruse, mbyllet Konsullata e Moskës në Gdansk

Nga Rosalba Bejdo
19 Nëntor 2025, 14:59 | Bota

Vala masive e sulmeve ruse në Ukrainë, në orët e para të së mërkurës, alarmoi edhe shtetet anëtare të NATO-s. Polonia dhe Rumania ngritën avionë luftarakë gjatë natës, në kundërpërgjigje të bombardimeve të Moskës pranë kufijve të tyre.

Komanda operacionale e Varshavës bëri të ditur përmes një postimi në rrjetin social X se kishte ngritur çifte avionësh luftarakë të reagimit të shpejtë dhe një avion paralajmërimi të hershëm si masë paraprake, duke shtuar se sistemet tokësore të mbrojtjes ajrore dhe të mbikëqyrjes me radar ndodheshin “në nivelin më të lartë të gatishmërisë.”

Autoritetet polake mbyllën gjithashtu dy aeroporte, Rzeszow dhe Lublin, në juglindje të vendit, mes sulmit ajror rus. Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes e Rumanisë njoftoi se kishte ngritur në ajër katër avionë luftarakë, dy avionë gjermanë Eurofighter Typhoon dhe dy F-16 të Forcave Ajrore Rumune, pak pas mesnatës, në përgjigje të një depërtimi droni rreth 5 milje brenda hapësirës ajrore rumune.

Operacionet e të dyja vendeve përfshinë asistencë të NATO-s, me komandën polake që falenderoi aleancën dhe anëtarët e tjerë, të Norvegjisë, Spanjës, Holandës dhe Gjermanisë për mbështetjen e tyre në monitorimin e hapësirës ajrore polake. Lufta ruse ka dalë jashtë kufijve të Ukrainës ditët e fundit, me një fshat rumun që u evakua të hënën, kur një cistern nafte përtej lumit në një port ukrainas, shpërtheu në flakë si pasojë e një sulmi rus.

Po ashtu, një segment i linjës hekurudhore mes Varshavës dhe Lublinit, që lidhet me Ukrainën, u hodh në erë në një akt sabotazhi për të cilin autoritetet polake akuzuan inteligjencën ruse dhe bjelloruse. Ngjarja shtyu Varshavën të njoftonte mbylljen e konsullatës së fundit operative të Moskës në Gdansk.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos