“Luani në ngritje”, Izraeli bën bilancin: Vramë 11 shkencëtarë dhe 30 zyrtarë të lartë në Iran, u goditën 900 objektiva

Nga A2 CNN
27 Qershor 2025, 10:01 | Bota

“Luani në ngritje”, Izraeli bën bilancin: Vramë 11

Ushtria izraelite ka bërë publik bilancin e Operacionit “Luani në Ngritje” duke deklaruar se ka goditur mbi 900 objektiva ushtarake dhe strategjike brenda territorit iranian. Sipas Forcave Mbrojtëse të Izraelit sulmet kanë shkaktuar dëme të mëdha në infrastrukturën ushtarake iraniane dhe kanë ndaluar kapacitetet e saj për prodhim raketor dhe bërthamor.

Në deklaratën zyrtare të IDF thuhet se janë eliminuar 11 shkencëtarë bërthamorë iranianë, si dhe 30 zyrtarë të lartë të sigurisë, përfshirë tre komandantë të lartë të Gardës Revolucionare. Po ashtu, ushtria izraelite thekson se janë shkatërruar 200 lëshues raketash, që përbënin afërsisht gjysmën e të gjithë sistemit të lëshimit të raketave të Iranit.

“Sulmet shkatërruan gjithashtu avionë, depo armatimi dhe qendra prodhimi raketash, duke parandaluar kështu prodhimin e mijëra raketave të tjera,” thuhet në deklaratën e lëshuar nga IDF.

Një nga aspektet më të debatueshme të operacionit ishte pohimi i ministrit izraelit të Mbrojtjes, Israel Katz, i cili në një intervistë për Channel 13 pohoi se kishte pasur plan për të vrarë udhëheqësin suprem iranian, Ajatollah Ali Khamenei. “Po të kishim pasur mundësinë, do ta kishim vrarë,” tha ai, duke nënvizuar seriozitetin e ofensivës izraelite.

Burime të huaja raportojnë se Khamenei u detyrua të zhvendosej në një vend të sigurt nëntokësor gjatë operacionit, duke shmangur atentatin e mundshëm. Megjithatë, udhëheqësi iranian doli më vonë në publik duke deklaruar se Irani i kishte dhënë “një shuplakë Amerikës në fytyrë” dhe se kishte dalë fitimtar nga përballja. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos