Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka deklaruar se mendon që Shtetet e Bashkuara mund të jenë duke u përgatitur për një sulm ndaj Iranit.
“Shpresoj që të mos ketë ndërhyrje nga ana e SHBA-ve, edhe pse mendoj se një sulm është i mundshëm. Besoj se amerikanët po përgatiten, por shpresoj që kjo të jetë vetëm një formë presioni dhe që palët të arrijnë një marrëveshje përmes bisedimeve,” u shpreh Vuçiç.
Ai përshëndeti faktin që Irani ka zhvilluar bisedime me vendet evropiane, duke shtuar se ekziston një shpresë që gjithçka të zgjidhet në mënyrë paqësore.
“Nuk është mirë për askënd që situata të bëhet e paqëndrueshme. Mos harroni se kur çmimet e naftës rriten, kjo ndikon në të gjitha produktet që varen prej saj”, nënvizoi presidenti serb.
Sipas Vuçiçit, publiku shpesh ka qëndrime emocionale dhe të ndara për këtë konflikt: “Populli ynë shpesh e shikon këtë si një ndeshje sportive – disa janë me Izraelin, të tjerë me Iranin. Kemi parë sulme të pabesueshme nga ana e Izraelit, dhe një sukses të jashtëzakonshëm të shërbimeve të tyre të inteligjencës. Nga ana tjetër, iranianët janë një popull i guximshëm që mbrojnë veten me vendosmëri, gjë që mund ta çojë situatën në përplasje të hapura.”
Vuçiç përfundoi deklaratën duke theksuar rëndësinë e paqes. “Shpresoj që të gjendet një zgjidhje. Si Irani, ashtu edhe Izraeli janë miq të Serbisë. Nëse Irani do të merrte kontrollin e Ngushticës së Hormuzit, pasojat do të ishin shkatërruese për të gjithë. Shpresoj që kjo të mos ndodhë. Tani po luhet pjesa e dytë e kësaj krize”, u shpreh ai. (A2 Televizion)