Lufta merr fund më 9 prill? Trump: Ka dakordësi për marrëveshje, Irani ka 5 ditë kohë për paqen

Nga Rosalba Bejdo
23 Mars 2026, 22:10 | Bota

Një ditë që nisi me mundësinë e sulmeve shkatërruese ndaj centraleve e infrastrukturës energjetike të Iranit, siç kishte paralajmëruar Trump, mori një kthesë të papritur drejt negociatave. Presidenti amerikan Donald Trump tha këtë të hënë se kishte urdhëruar shtyrjen e sulmeve me 5 ditë, teksa SHBA dhe Teherani po bisedonin për fundin e luftës. Sipas kreut të Shtëpisë së Bardhë, palët kishin zhvilluar bisedime produktive mbi zgjidhjen totale të armiqësive dhe se Irani ishte tani shumë serioz mbi negociatat.

“Siç njoftova më parë, bazuar në bisedat paraprake midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit gjatë dy ditëve të fundit, kam udhëzuar Departamentin e Luftës që të shtyjë përkohësisht sulmet e planifikuara kundër objektivave kryesore të energjisë dhe energjisë elektrike në Iran. Por për të përcaktuar nëse mund të arrihet një marrëveshje më e gjerë, kemi pasur diskutime shumë të mira, diskutime shumë, shumë të mira. Dhe këtë herë ata e kanë seriozisht. Ata duan t’i japin fund, dhe shpresojmë ta arrijmë këtë.”

Ai përsëriti gjithashtu qëndrimin e ashpër të administratës së tij, duke pretenduar se forcat amerikane kanë dëmtuar rëndë kapacitetet e Iranit. Trump paralajmëroi se Teherani ka edhe një shans për t’i dhënë fund kërcënimeve kundër SHBA dhe aleatëve.

“Ne eliminuam forcën e tyre ajrore. Ne eliminuam të gjithë mbrojtjen e tyre ajrore. Eliminuam gjithçka që mund të eliminohej. Ne eliminuam udhëheqësit e tyre. Mendoj se ka shumë mundësi që të arrijmë një marrëveshje. Kështu që po i japim pesë ditë kohë dhe pastaj do të shohim se ku do të na çojë kjo. Dhe do të thoja se në fund të kësaj periudhe, mendoj se mund të përfundojë si një marrëveshje shumë e mirë për të gjithë. Do të ishte diçka e mirë të mos e shkatërronim plotësisht vendin.”

Më herët gjatë ditës, Trump tha se zyrtarë amerikanë dhe iranianë po përcaktonin pikat kryesore të një marrëveshjeje me Teheranin dhe se kishte dakordësi për 15 pika, përfshirë armët bërthamore. Siç tha, delegacioni amerikan udhëhiqej nga Steve Witkoff dhe Jared Kushner dhe bisedimet po vijojnë.

Por kryeparlamentari iranian i quajti fake news pretendimet e Trump, duke thënë se Irani nuk është i përfshirë në negociata direkte ose indirekte me Uashingtonin. Teherani tha se nuk do të kishte bisedime deri sa të arriheshin objektivat në luftë. Mediat në Izrael thonë se Uashingtoni ka fiksuar 9 prillin si objektiv të mundshëm për fundin e luftës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos