Kupa e Amerikës zbarkon në Napoli. Bagnoli, mes helmit, pluhurit dhe superjahteve

Nga Rosalba Bejdo
23 Mars 2026, 21:57 | Bota

Në skajet perëndimore të Napolit, skeletet e ndryshkura të fabrikave ngrihen mbi një vijë bregdetare të helmuar nga dekada të tëra industrie të rëndë. Vitin e ardhshëm, i njëjti segment bregdetar do të presë Kupën e Amerikës, eventin më prestigjioz në botën e jahteve.

Përplasja mes këtyre dy botëve diametralisht të kundërta ka ndezur një debat më të gjerë: a do të ndihmojë ky spektakël i lundrimit më në fund në pastrimin e zonës së Bagnolit, apo thjesht do ta mbulojë të kaluarën e saj toksike me një “make-up” të shpejtë?

Paola Minieri, banore lokale tha: “Jemi në Coroglio dhe shtëpitë këtu tashmë janë të dëshirueshme për të gjithë, sepse është një vend i mrekullueshëm, buzë detit. Le të themi se Kupa e Amerikës i ka përshpejtuar gjërat dhe, siç kam thënë gjithmonë, mirë se erdhi Kupa e Amerikës. Është një event fantastik për një qytet të bukur. Por nuk duhet të shohim vetëm përtej portave.”

Dragat janë tashmë në punë në det, duke thelluar shtratin për të përgatitur terrenin për jahtet e garës; ekskavatorët po shkatërrojnë një mol të vjetër, ndërsa ekipet po përgatisin terrenin për atë që parashikohet të jetë vetëm një port i përkohshëm për varkat prej fibrash karboni.

Politikanët thonë se regata, që iu dha Italisë vitin e kaluar, po shërben si një katalizator i domosdoshëm për rikthimin në jetë të një prej vijave bregdetare më të ndotura të vendit, ku dikur funksiononin një uzinë çeliku, një fabrikë çimentoje dhe një impiant azbesti që nxirrte tym.

Kryetarja e Këshillit Bashkiak të Napolit, Enza Amato shprehet: “Ajo që ka më shumë rëndësi për ne si banorë, dhe unë jetoj në bashkinë e dhjetë ku përfshihet edhe Bagnoli, është të kemi akses në det. Personalisht, e shoh Kupën e Amerikës si një mundësi për të përshpejtuar planet e rehabilitimit mjedisor, të cilat për detin ishin parashikuar të nisnin në vitin 2031.”

Shkurt, do të kemi rehabilitimin e landfillit, ose më saktë sigurimin e tij, pasi termi teknik është paksa ndryshe. Do të ndërtohen edhe hangarët e ekipeve, që janë struktura të marra me qira nga ekipet, dhe pas eventit do të hiqen. Ajo që do të mbetet është një zonë me infrastrukturë rrugore të përmirësuar, sepse aktualisht kalimi i kamionëve shumë të rëndë po shkakton shqetësime”, thotë Amato.

Por për shumë banorë, aktivistë dhe pronarë të vegjël biznesesh, ajo që po ndodh në Bagnoli duket më pak si shpëtim dhe më shumë si një model i njohur: një premtim i madh në emër të progresit, pa garanci për përfitime afatgjata.

Debati kryesor përqendrohet te një landfill bregdetar që përmban rreth një milion metra kub mbetje industriale, të mbetura aty kur fabrikat e fundit u mbyllën në vitin 1992.

Planet fillestare parashikonin heqjen e plotë të tij për të garantuar një bregdet të sigurt për brezat e ardhshëm në Bagnoli. Por autoritetet vendosën të heqin vetëm një pjesë të vogël të mbetjeve dhe të mbulojnë pjesën tjetër me shtresa të mëdha membrane sintetike për të izoluar ndotjen, përpara ndërtimit të hangarëve dhe punishtave për ekipet e garës.

Për Ines Clemente, pronare e një bari në Bagnoli që ka organizuar një peticion kundër punimeve, ky është një mashtrim.

Po i ndihmon ata, por jo ne, të paktën për momentin. Për shembull, në mbrëmje e gjej lokalin tim bosh, sepse kur nuk bie shi dhe ajri është shumë i thatë, krijohet shumë pluhur. Pastroj vazhdimisht raftet dhe tavolinat, por njerëzit ndihen në siklet, sikur po e prekin atë pluhur. Kështu që lokali mbetet bosh. Jo, për momentin kjo nuk po na ndihmon”, thotë Clemente.

Kemi vënë re që shumë zona nuk janë trajtuar fare, ndërsa të tjera thjesht janë mbuluar. Pra, ky është një mashtrim. Mashtrim në kuptimin që pastrimi duket sikur po bëhet, por në realitet nuk po ndodh. Thjesht po mbulojnë gjithçka, po e fshehin nën qilim. Nuk është hera e parë që ndodh kjo. E kemi parë edhe me parkun sportiv. Bagnoli është plot me histori të tilla; kjo ka 30 vjet që ndodh.”

Edhe pse nuk po e zbrazin plotësisht landfillin, ekipe punëtorësh po heqin shtresën sipërfaqësore të tokës dhe po largojnë mijëra ton rërë dhe gurë të ndotur nga fundi i detit, për të krijuar një basen të sheshtë për ankorim.

Një pjesë e madhe e materialit transportohet me kamionë që kalojnë vazhdimisht nëpër Bagnoli, dikur një qytet i njohur kurativ përpara se industria e rëndë të merrte kontrollin në mesin e shekullit të 20-të.

Ndërsa Clemente shpreson që bari i saj të mbushet sërish pasi kamionët të largohen, një tjetër banore e Bagnolit, Paola Minieri, ka frikë se pas përfundimit të punimeve do të humbasë shtëpinë e saj.

Thonë se puna në landfill po bëhet sipas të gjitha rregullave dhe standardeve të sigurisë, dhe se po largojnë materialet e rrezikshme që dalin prej tij. Sigurisht, unë nuk jam teknike, ndaj nuk e di nëse është vërtet kështu. Është e vërtetë që çdo ditë jemi të mbingarkuar nga kamionët dhe pluhuri. Por, natyrisht, nëse duhet bërë pastrimi, njëfarë shqetësimi në qytet është i pashmangshëm. Megjithatë, sipas mendimit tim, duhet bërë ndryshe, sepse ne përballemi me këtë çdo ditë”, shprehet Minieri.

Si pjesë e një projekti të bashkisë për modernizimin e zonës, që ka nisur përpara marrëveshjes për Kupën e Amerikës, shtëpia e familjes së saj është planifikuar për t’u shembur.

Familja e Minierit jeton në Borgo Coroglio, një grup shtëpish të vjetra buzë detit pranë portit të Kupës së Amerikës, prej më shumë se 100 vitesh.

Bashkia ka deklaruar se zona duhet liruar për “të mirën publike”, por ende nuk ka paraqitur plane të detajuara për çfarë do të ndërtohet më pas, përveç faktit që do të ketë disa njësi banimi.

Një pronë e tillë buzë detit, me pamje nga deti blu i thellë drejt ishujve Ischia dhe Procida, do të ishte shumë e kërkuar dhe me një çmim të lartë.

Gjithçka që duan të bëjnë është e mirëpritur. Jemi dakord me pastrimin, jemi dakord me Kupën e Amerikës. Ne nuk jemi njerëzit që themi ‘jo’. Ne jemi ata që duam që gjërat të ecin përpara, sidomos sepse ky vend është goditur për më shumë se 40 vjet, dhe për më shumë se 40 vjet kemi duruar dhe rezistuar. Prandaj e meritojmë të qëndrojmë këtu”, thotë Minieri.

Të jetosh në Bagnoli ka pasur një kosto të lartë për shumë banorë. Minieri tha se 10 anëtarë të familjes së saj të zgjeruar kanë vdekur nga kanceret e lidhura me azbestin, që sipas mjekëve lokalë mund të shkaktohen nga ekspozimi ndaj ndotjes së fabrikave të vjetra. Kreu i bashkisë, Amato, tha se një vendim përfundimtar ende nuk është marrë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos