
Problemet në furnizimin me karburant, të lidhura me tensionet në Lindjen e Mesme, kanë nisur të prekin disa aeroporte në Itali, duke detyruar autoritetet të vendosin masa emergjente dhe kufizime për fluturimet.
Sipas raportimeve, kufizime janë vendosur në aeroportet e Brindisit, Pescarës dhe Reggio Calabria. Situata paraqitet më kritike në Brindisi, ku deri në mesditën e së martës avionët nuk do të kenë mundësi të furnizohen fare me karburant.
Ndërkohë, në aeroportin e Reggio Calabria është vendosur një kufi maksimal prej 3 mijë litrash karburant për çdo avion, ndërsa në Pescara është në dispozicion vetëm një cisternë me rreth 20 mijë litra deri të mërkurën.
Masat nuk prekin fluturimet emergjente apo ato qeveritare, të cilat përdoren për operacione shpëtimi dhe shërbime shëndetësore.
Probleme të ngjashme janë raportuar edhe dy ditë më parë në disa aeroporte të tjera të mëdha italiane, si Milano-Linate, Venecia, Treviso dhe Bolonja, duke sinjalizuar një situatë më të gjerë të vështirësive në furnizim.
(A2 Televizion)