Ultimatumi i fundit i Trump: “Irani rrafshohet në një natë dhe ajo natë mund të jetë nesër”

Nga Xhevahir Qardaku
6 Prill 2026, 21:32 | Bota

Amerika lëshon ultimatumin e fundit për Iranin. Presidenti Donald Trump kërcënon me rrafshimin e të gjithë vendit brenda një nate, gjë e cila mund të nodhë nesër.

Donald Trump, President i SHBA shprehet: “Operacioni Furia Epike po shkon jashtëzakonisht mirë, në një nivel që askush nuk e ka parë më parë. I gjithë vendi mund të shkatërrohet brenda një nate, dhe ajo natë mund të jetë nesër në mbrëmje.”

Presidenti Trump e përshkroi shpëtimin e pilotit të zhdukur amerikan nga një avion luftarak i rrëzuar në Iran duke thënë se ishte “si të gjesh një gjilpërë në kashtë”. Lideri i SHBA-ve e cilësoi misionin si “shumë historik” dhe thotë se tregon se në ushtrinë amerikane “nuk lëmë asnjë amerikan pas dore”. Trump kishte pretenduar “epërsi ajrore” ndaj Iranit, dhe rrëzimi i avionit ngre pikëpyetje mbi kërcënimet e vazhdueshme ndaj forcave amerikane. Trump përsëriti kërcënimet për të goditur urat dhe termocentralet iraniane, gjatë një eventi në Shtëpinë e Bardhë.

 “Po e zhdukim atë vend dhe e urrej ta bëj, por po e zhdukim dhe ata thjesht nuk duan të pranojnë humbjen. Nuk duan të qajnë, siç thotë shprehja, të dorëzohen, por do të qajnë, dhe nëse nuk kanë, nuk do të kenë ura, nuk do të kenë termocentrale. Nuk do të kenë asgjë. Nuk do të shkoj më tej sepse ka gjëra të tjera që janë më keq se ato të dyja, dhe mund të kemi diçka. Nëse do të ishte plotësisht në dorën time, çfarë do të doja të bëja? Të merrja naftën sepse është aty për ta marrë”, thotë Trump.

Ndërkohë, Irani thotë se ka hedhur poshtë një propozim të SHBA-së për armëpushim, ndërsa bën thirrje për një ndalim “përfundimtar” të luftës, raportojnë mediat shtetërore në Teheran, duke ndarë një listë kërkesash me 10 pika. Trump më parë e quajti një propozim të veçantë të SHBA-së për një armëpushim 45-ditor në luftën e Iranit një “hap shumë të rëndësishëm”.

Sa i përket luftimeve, në Iran ka pasur shpërthime të forta dhe raportohet për 13 persona të vrarë. Izraeli goditi gjithashtu kompleksin petrokimik të Iranit. 10 viktima u raportuan dhe në Liban nga sulmet e ushtrisë së Tel Avivit. Irani është kundërpërgjigjur duke lëshuar raketa drejt Izraelit. Sulme janë raportuar në Emiratet e Bashkuara Arabe, Kuvajt dhe Arabinë Saudite. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos