Pekini ka njoftuar vendosjen e tarifave “hakmarrëse” prej 84% ndaj mallrave të importuara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në një zhvillim të ri që përshkallëzon luftën tregtare mes dy ekonomive më të mëdha në botë, raporton A2 CNN. Kjo rritje përfshin një shtesë prej 50 pikësh përqindjeje ndaj tarifave që ishin planifikuar të hynin në fuqi të enjten, duke u përputhur me masat që presidenti amerikan Donald Trump kishte vendosur më herët ndaj produkteve kineze.
Më herët gjatë ditës, Kina paralajmëroi se do të ndërmarrë “masa të vendosura dhe efektive” për të mbrojtur të drejtat dhe interesat e saj legjitime, pas vendosjes së tarifave të reja nga ana e SHBA-ve në masën 104%. Këto masa kanë shkaktuar reagime të forta në tregjet financiare, me kontratat e së ardhmes në bursat amerikane që pësuan rënie të ndjeshme.
Komisioni i Tarifave i Këshillit Shtetëror të Kinës deklaroi se “përshkallëzimi i tarifave nga SHBA është një gabim që shkel rëndë të drejtat legjitime të Kinës dhe dëmton seriozisht sistemin shumëpalësh të tregtisë”.
Përveç tarifave të reja, Ministria kineze e Tregtisë ndërmori edhe masa të tjera kundër kompanive amerikane, duke vendosur kufizime eksporti për 12 prej tyre dhe duke shtuar gjashtë të tjera në listën e subjekteve “të pasigurta”. Këto kompani tashmë janë të ndaluara të bëjnë tregti apo investime në Kinë.
Gjithashtu, Kina ka paraqitur një ankesë zyrtare pranë Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT) lidhur me tarifat më të fundit të vendosura nga SHBA. Situata mbetet e tensionuar dhe me pasoja të mëdha për tregtinë globale. (A2 Televizion)