Ukraina ka sulmuar një luftanije të flotës së Rusisë në Detin e Zi. Këtë e konfirmon inteligjenca e Kievit që ka shpërndarë edhe pamje të aksionit.
Sulmi, lexohet në një deklaratë, është kryer me një dron gjatë një operacioni të fshehtë afër portit të Novorosysk.
Gjithmonë sipas inteligjencës, flota ruse ka vetëm 4 luftanije të këtij lloji dhe vlera e tyre është rreth 60 milionë dollarë. Përdorimi i tyre ka nisur nga viti 2015.
Nga sulmi ukrainas, janë dëmtuar aparaturat e komunikimit, kontrollit dhe zbulimit të mjetit lundrues. Rusia, ndërkohë, ka bombarduar pa pushim Ukrainën.
Në rajonin Sumy, një dron goditi një shkollë duke i vënë zjarrin. Bilanci më i rëndë i orëve të fundit është regjistruar në Donjeck, ku 2 persona mbetën të vrarë dhe dhjetë të tjerë u plagosën.
Forcat ruse kanë bombarduar rëndë dhe Zaporizhian me 527 sulme në 14 zona të ndryshme. Dhjetëra të plagosur janë raportuar në atë rajon. Në shënjestër ka përfunduar edhe Kherson ku konfirmohen 5 të plagosur nga sulmet në 33 vendbanime të ndryshme.
Forcat e mbrojtjes ajrore të Kievit pretendojnë se kanë rrëzuar me dhjetra dronë dhe raketa. Edhe Rusia pranon se ka përjetuar një natë zjarri. Ushtria e Putinit pretendon se ka shkatërruar 17 dronë të lëshuar nga Ukraina në drejtim të disa rajoneve. (A2 Televizion)