Macron dhe Meloni “shkrijnë akujt”, pas tensioneve e mosmarrëveshjeve zotohen për bashkëpunim

Nga Rosalba Bejdo
4 Qershor 2025, 16:15 | Bota

Në një përpjekje për të shkrirë akujt, mes tensioneve për Ukrainën, tregtinë apo lidhjet me SHBA, presidenti francez Emmanuel Macron dhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni zhvilluan një takim 3-orësh në Romë, që, siç thuhet, ishte kërkuar nga kreu i Elizesë, shkruan A2 CNN. Dy udhëheqësit u zotuan të punojnë bashkërisht për një Europë më të fuqishme, pas bisedimeve që synonin sheshimin e mosmarrëveshjeve mes tyre, të shpërfaqura edhe në publik javët e kaluara.

Zyrtarë të afërt me Macron-in dhe Melonin kanë kritikuar privatisht ose publikisht iniciativat e secilit gjatë ditëve të fundit. “Takimi nxori në pah konvergjenca të forta në agjendën evropiane për konkurrueshmëri dhe prosperitet, që do të zbatohet në mënyrë ambicioze dhe të shpejtë”, thanë udhëheqësit në një deklaratë të përbashkët, duke shtuar se ishin dakordësuar që kompanitë evropiane të konkurrojnë në kushte të barabarta.

Nacionalistja Meloni kërkon të mbajë Europën të lidhur me SHBA-në, përmes sloganit “Ta bëjmë Perëndimin madhështor sërish”, duke kërkuar përmbajtje në tarifat hakmarrëse. Ndërkohë, Macron, një pro-evropian i flaktë dhe centrist, ka nxitur BE-në drejt një qasje më të pavarur.

Sa i përket luftës në Ukrainë, Meloni ka qenë skeptike mbi “koalicionin e vullnetit të mirë” të Macron-it dhe planin franko-britanik për të dërguar trupa paqeruajtëse në Ukrainë në rastin e një marrëveshjeje. Një hap i tillë do të ishte thellësisht jopopullor në Itali. Megjithatë, në deklaratë dy liderët theksuan se mbështetja e palëkundur ndaj Ukrainës nevojitej më shumë se kurrë për të çuar drejt një paqeje të drejtë. Ata bënë thirrje për një ndryshim ambicioz në përmasa, sa i përket kapaciteteve mbrojtëse. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos