Mark Zuckerberg padit Facebook-un për mbylljen e llogarisë

Nga A2 CNN
5 Shtator 2025, 07:26 | Bota

Mark Zuckerberg padit Facebook-un për mbylljen e llogarisë

Një avokat amerikan me të njëjtin emër si themeluesi i Facebook-ut, Mark Zuckerberg, ka paditur platformën e mediave sociale, duke argumentuar se ajo vazhdon t’i pezullojë llogarinë e tij pasi kujton se "po imiton një personazh të famshëm".

Mark S. Zuckerberg thotë se profili i tij është çaktivizuar 5 herë gjatë 8 viteve të fundit dhe kjo i ka kushtuar mijëra dollarë humbje.

Meta në reagimin e saj, pretendon se e kishte rivendosur llogarinë e avokatit dhe se po merrte masa për të parandaluar përsëritjen e gabimit.

"Nuk është qesharake," tha Zuckerberg për WTHR-TV. "Jo kur më marrin paratë."

Mark Zuckerberg padit Facebook-un për mbylljen e llogarisë

Padia, e ngritur në Gjykatën e Lartë të Marion, argumenton se kompania e Facebook, Meta, ka shkelur kontratën pasi ai kishte paguar 11,000 dollarë për reklama që iu hoqën në mënyrë të papërshtatshme.

“Është si të blesh një tabelë reklamash në anë të autostradës, t’i paguash njerëzit për tabelën dhe pastaj ata vijnë e vendosin një batanije gjigante sipër saj dhe ti nuk përfiton nga ajo për të cilën ke paguar”, tha ai.

Zuckerberg ndau për publikun disa emaile që kishte shkëmbyer me Facebook, ku shihej se kompania e kishte akuzuar atë për mospërdorimin e "emrit të tij autentik".

Ai tha se iu ka paraqitur dokumentin e tij të identifikimit me foto, kartat e kreditit dhe disa imazhe të fytyrës së tij për të vërtetuar identitetin e tij.

“Unë jam Mark Steven. Dhe ai është Mark Elliot,” tha Zuckerberg për WTHR.

Llogaria e tij u mbyll në maj dhe u rikthye në funksion vetëm pasi u ngrit padia.

Në një deklaratë, kompania tha se kishte “riaktivizuar llogarinë e Mark Zuckerberg, pasi zbuloi se ishte çaktivizuar gabimisht”.

"Ne e vlerësojmë durimin e vazhdueshëm të z. Zuckerberg për këtë çështje dhe po punojmë për të parandaluar që kjo të ndodhë në të ardhmen". (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos