
Të paktën gjashtë persona janë vrarë dhe disa të tjerë janë plagosur pasi një person hapi zjarr në Kiev, të shtunën.
Incidenti ndodhi në lagjen jugore Holosiivskyi, shkruan A2. Ministri i Brendshëm i Ukrainës, Ihor Klymenko, tha se burri, i cili jetonte aty pranë, filloi të qëllonte drejt njerëzve në rrugë dhe më pas mori peng të tjerë në një supermarket aty pranë.
Klymenko tha se sulmuesi u vra në supermarket pas një shkëmbimi zjarri me policinë.
Numri i saktë i viktimave mbetet i paqartë, por kryetari i Bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko, tha se të paktën 15 persona ishin plagosur. Dhjetë prej tyre, përfshirë një fëmijë, ishin dërguar në spital.
Klitchko tha se shumica e të vdekurve ishin vrarë në rrugë. Një grua, që mendohet të jetë rreth 30 vjeç, vdiq më vonë në spital.
Negociatorët e policisë folën me agresorin për rreth 40 minuta ndërsa ai ishte në supermarket, tha Klymenko. Ai shtoi se autori i masakrës nuk kishte bërë asnjë kërkesë ndaj policisë.
"Ne ofruam të sillnim ndihmë për të ndaluar gjakderdhjen e të plagosurve e kështu me radhë. Por, ai nuk u përgjigj, kështu që u dha urdhri për ta eliminuar atë, veçanërisht pasi vrau një nga pengjet”, sqaroi Klymenko.
Katër pengje u liruan më vonë, sipas Presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
Prokurori i përgjithshëm i Ukrainës, Ruslan Kravchenko, e identifikoi autorin e sulmit si një burrë 58-vjeçar nga kryeqyteti rus, Moska, dhe tha se ai kishte përdorur një armë automatike për të kryer vrasjet.
Arma e përdorur nga sulmuesi ishte regjistruar zyrtarisht, thanë zyrtarët. Rrethanat rreth lëshimit të lejes, si dhe vetë masakra, po hetohen.
Ndërsa Kievi është shpesh subjekt i sulmeve gjatë luftës së vazhdueshme me Rusinë, rastet e këtij lloji janë të rralla në qytet. (A2 Televizion)