
Anijet që shkojnë drejt Ngushticës së Hormuzit sot kanë filluar të ndryshojnë drejtim pasi ushtria iraniane përsëriti se tranziti për anijet tregtare do të kufizohet rreptësishtë, për sa kohë që vazhdon bllokada e SHBA-së.
Garda Revolucionare Islamike thotë se kontrolli i Ngushticës së Hormuzit tani është “kthyer në gjendjen e mëparshme” për shkak të bllokadës së vazhdueshme të porteve iraniane nga SHBA-të.
Një tanker raportohet se është qëlluar nga anije luftarake iraniane, ndërsa po udhëtonte nëpër Ngushticën e Hormuzit. Kjo ndodhi pasi ushtria iraniane tha se kufizimet në rrugën ujore jetësore po rivendosen, duke pretenduar "shkelje të përsëritura të besimit" nga SHBA-ja.
Ndërkohë BBC raporton se është goditur një anije kontejnerësh nga një 'predhë e panjohur' 25 milje detare në verilindje të Omanit, e cila shkaktoi dëme në disa prej kontejnerëve.
Disa anije tregtare morën një mesazh në radio nga Marina Iraniane duke thënë se Ngushtica e Hormuzit ishte mbyllur përsëri, thanë burime të transportit detar për Reuters.
Marina iraniane u tha tankerëve se asnjë anije nuk lejohet të kalojë nëpër Ngushticë, shtojnë burimet.
SHBA-ja kanë detyruar 23 anije të kthehen mbrapsht që kur filluan bllokadën e porteve iraniane më 13 prill, tha Komanda Qendrore e SHBA-së këtë mëngjes.
“Që nga fillimi i bllokadës, 23 anije kanë zbatuar udhëzimet e forcave amerikane për t’u kthyer”, tha CENTCOM.
Përditësimi pasoi një periudhë kaotike 24-orëshe gjatë së cilës Ngushtica e Hormuzit, u shpall e rihapur nga Teherani dhe më pas u mbyll përsëri.
Ndërkohë, delegacionet amerikane dhe iraniane do të zhvillojnë negociata të hënën mbi një marrëveshje që potencialisht do t'i jepte fund luftës, thanë burime iraniane për CNN. SHBA-të nuk kanë konfirmuar se janë planifikuar bisedime. Presidenti Donald Trump thotë se mund të mos e zgjasë armëpushimin me Iranin nëse negociatat dështojnë.
Ndërsa në Liban, Izraeli tha se do të vendosë një “vijë të verdhë”, të përdorur edhe në Gaza, duke u ndaluar banorëve të zhvendosur të kthehen në 55 fshatra të pushtuara. Një ushtar francez nga një forcë paqeruajtëse e OKB-së u vra në një sulm që Presidenti Emmanuel Macron tha se ka të ngjarë të jetë kryer nga Hezbollahu.
(A2 Televizion)