Një masakër ka ndodhur në Rripin e Gazës. Si pasojë e sulmeve izraelite kanë mbetur të vdekur 29 palestinezë, përfshirë fëmijë. Sulmi ndodhur në një shtëpi në Shejaia në qytetin e Gazës, thanë autoritetet lokale shëndetësore.
Mjekët thanë se dhjetëra të tjerë u plagosën në sulmin që goditi një ndërtesë banimi shumëkatëshe në periferinë lindore të qytetit të Gazës. Shumë prej tyre ende besohet të jenë të zhdukur dhe të bllokuar nën rrënojat e ndërtesës. Sulmi dëmtoi disa shtëpi të tjera aty pranë, thanë mjekët. Ushtria izraelite tha në një deklaratë se goditi një militant të lartë të Hamasit përgjegjës për planifikimin dhe ekzekutimin e sulmeve nga Shejaia në Gazën veriore, të cilin nuk e identifikoi. Ushtria tha se u ndërmorën disa hapa përpara sulmit për të zbutur dëmet ndaj civilëve.
Autoritetet lokale shëndetësore thanë se nëntë palestinezë të tjerë u vranë në sulme të veçanta ushtarake izraelite në pjesë të tjera të enklavës, duke e rritur numrin në 38.
Izraeli rifilloi bombardimin e Gazës më 18 mars pas një armëpushimi dy mujor dhe dërgoi trupa përsëri në enklavë. Në tre javë që nga ajo kohë, ministria e shëndetësisë në Gazën e drejtuar nga Hamasi thotë se sulmet ushtarake izraelite kanë vrarë afro 1500 palestinezë.
Që nga fundi i marsit, Izraeli ka urdhëruar banorët e Gazës të largohen nga territori rreth skajeve të enklavës për të krijuar atë që ai e përshkruan si një zonë sigurie; banorët kanë frikë se qëllimi është shpopullimi i përhershëm i zonave të territorit.
Krahët e armatosur të Hamasit dhe Xhihadit Islamik ndërkohë kanë rifilluar hedhjen e raketave drejt Izraelit. Izraeli dhe Hamasi kanë shkëmbyer fajin për ngërçin në bisedimet e armëpushimit. Ndërmjetësuesit arabë Katari dhe Egjipti, të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, kanë shtuar përpjekjet për të rivendosur qetësinë, por deri më tani nuk kanë arritur të kapërcejnë hendekun midis palëve ndërluftuese. (A2 Televizion)