Një ngjarje tragjike tronditi këtë të martë qytetin e Grazit në Austri, ku një sulm me armë zjarri në një shkollë të mesme u mori jetën të paktën 10 personave, përfshirë edhe autorin e sulmit.
Ndër viktimat është edhe Lea Ilir Bajrami, një vajzë me prejardhje nga Kosova. Familjarët e saj kanë reaguar me dhimbje të thellë në rrjetet sociale.
Muhabi Bajrami, një i afërm i të ndjerës, përmes një postimi në Facebook, ka njoftuar për humbjen e mbesës së tij. Ai e përshkroi këtë moment si një tronditje të jashtëzakonshme për familjen.
“Me zemër të thyer dhe me dhimbje të madhe njoftojmë familjarët, miqtë dhe të afërmit se mbesa jonë, Lea Ilir Bajrami, humbi jetën tragjikisht në sulmin e ndodhur në Graz të Austrisë. Lutemi për shpirtin e saj dhe shprehim falënderime për të gjithë ata që ndajnë dhimbjen tonë në këto çaste të vështira”, shkroi Bajrami.
Edhe gazetari kosovar që jeton në Graz, Vehbi Haliti, konfirmoi për televizionin T7 në Kosovë se viktima është vajza e një anëtari të kryesisë së Unionit Humanitar në këtë qytet.
“Fatkeqësisht po them se është e saktë. Është një vajzë e një aktivisti tonë këtu në Graz. Është një nga tragjeditë më të mëdha në Austri pas Luftës së Dytë Botërore, kur bëhet fjalë për sulme të qëllimshme,” tha Haliti.
Sipas autoriteteve austriake, agresori ishte një 21-vjeçar, ish-nxënës i shkollës, i cili kishte braktisur shkollën para kohe pasi kishte qenë i bullizuar. Ai kreu vetëvrasje menjëherë pas sulmit.
Përveç jetëve të humbura, 12 persona të tjerë janë plagosur, disa në gjendje të rëndë. Hetimet për zbardhjen e motiveve të këtij sulmi të tmerrshëm janë ende në vijim.
Në shenjë zie, kancelari austriak Christian Stocker ka shpallur tri ditë zie kombëtare, ndërsa nesër në orën 10:00 do të mbahet një minutë heshtje në të gjithë vendin.
Ngushëllime ka shprehur edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila theksoi rëndësinë që shkollat të jenë vende të sigurisë dhe zhvillimit për fëmijët.
“Shkollat duhet të jenë vend ku fëmijët ëndërrojnë, mësojnë e rriten, e jo vend i dhunës dhe terrorit,” u shpreh Osmani. (A2 Televizion)