Të paktën dhjetë persona u vranë si pasojë e të shtënave me armë në një shkollë në Graz të Austrisë. Shkaktari i viktimave mësohet se ka vrarë edhe veten. Këtë lajm e ka konfimuar kryetarja e bashkisë së Grazit, Elke Kahr për agjencinë e lajmeve APA. Shtatë nga viktimat ishin nxënës. Disa të plagosur u dërguan në spitale. Kahr e quajti atë një "tragjedi të tmerrshme", shkruan a2 CNN.
Sipas gazetës austriake "Kronen Zeitung", përveç shtatë studentëve, është edhe një i rritur dhe autori i krimit. Numri i personave të plagosur rëndë është dyshifror. 28 persona thuhet se po trajtohen në spitale. Operacioni policor ka filluar që prej orës 10:00 të mëngjesit. Mësohet se Shkolla e mesme është evakuuar ndërkohë që njësia speciale Cobra është aktivizuar.
Sipas gazetës "Kronen Zeitung", autori dyshohet se ka hapur zjarr në dy klasa. Gjatë një kontrolli në shkollë, autori i dyshuar u gjet i vdekur në njërën nga tualetet. Ai ishte gjithashtu nxënës në shkollën e mesme dhe thuhet se e konsideronte veten viktimë të bullizimit. Raportohet se nxënësit në shkollën e mesme janë 14 vjeç e lart.
Komisioni i BE-së shprehu gjithashtu ngushëllimet e tij pas të shtënave fatale. "Dëshirojmë të shprehim ngushëllimet tona më të thella familjeve të viktimave dhe të gjithë qytetit të Gracit", tha një zëdhënëse e Komisionit në Bruksel. "Ne qëndrojmë së bashku në zi dhe kërkojmë sqarim pas këtij incidenti të tmerrshëm në një shkollë". Ishte "lajm absolutisht i tmerrshëm dhe tragjik".
Grazi ndodhet në Austrinë juglindore. Qyteti i dytë më i madh i vendit është shtëpia e afërsisht 300 000 banorëve. (A2 Televizion)