Papa Leoni me kancer në mushkëri, kryhet me sukses ndërhyrja kirurgjikale në Romë

Nga Rosalba Bejdo
14 Tetor 2026, 15:17 | Bota

Papa Leoni XIV është diagnostikuar me kancer në mushkëri, por i është nënshtruar me sukses një ndërhyrjeje kirurgjikale për heqjen e lobit të poshtëm të mushkërisë së djathtë. Lajmi është bërë i ditur nga Vatikani, përmes një buletini mjekësor.

71-vjeçari iu nënshtrua një operacioni që zgjati rreth 90minuta, në spitalin Gemelli të Romës pas së cilës ju diagnostikua adenokarcinoma, një lloj i kancerit. Sipas Vatikanit, ndërhyrja përfundoi me sukses, pa komplikacione.

"Adenokarcinoma është lloji më i zakonshëm i kancerit të mushkërive që hasim. Përbën pothuajse gjysmën e rasteve të kancerit të mushkërive që shohim në Shtetet e Bashkuara. Vetë kanceri i mushkërive është lloji më vdekjeprurës i kancerit që hasim, por nëse kapet ne fazë të hershme zakonisht trajtohet me ndërhyrje kirurgjikale:, tha mjekja.

Pas operacionit, Papa u zgjua normalisht dhe, pas një periudhe të shkurtër vëzhgimi, u rikthye në dhomën e tij. Masa në mushkëri u zbulua gjatë kontrolleve rutinë. Ekzaminimet e mëtejshme konfirmuan diagnozën, ndërsa mjekët po verifikojnë nëse sëmundja është përhapur në pjesë të tjera të trupit.

Kreu i Kishës Katolike pritet të qëndrojë rreth një javë në spital për rikuperim. Para shtrimit në spital, Papa kishte bërë të ditur se masa ishte zbuluar në një fazë shumë të hershme dhe se mjekët i kishin rekomanduar heqjen e saj.

Lajmi ka shqetësuar besimtarët katolikë në mbarë botën. Qindra qytetarë, mes tyre edhe murgesha, u mblodhën jashtë spitalit Gemelli për t’i shprehur mbështetjen dhe për t’u lutur për shëndetin e tij.

Pavarësisht diagnozës, Papa synon të rikuperohet në kohë për të ruajtur planet e udhëtimit drejt Amerikës Latine, të parashikuar për fillim të nëntorit, ku përfshihet edhe Peruja, vend ku ai shërbeu për shumë vite si misionar dhe më pas si ipeshkëv. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos