Të paktën gjashtë persona kanë vdekur dhe dhjetëra të tjerë janë shpëtuar pasi një nëndetëse turistike u mbyt në Detin e Kuq në brigjet e Egjiptit.
NBC News raporton se katër shtetas rusë ishin në mesin e atyre që kishin vdekur pasi anija u mbyt pranë Hurghadës. Nëndetësja, e quajtur Sinbad, mbante 45 pasagjerë, përfshirë fëmijë.
Ambasada ruse në Kajro i tha NBC: “Më 27 mars, rreth orës 10:00, batiskafi Sindbad, në pronësi të hotelit me të njëjtin emër, u mbyt 1 km larg bregut. Përveç ekuipazhit, në bord kishte 45 turistë, përfshirë të mitur. Shumica e atyre në bord u shpëtuan dhe u dërguan në hotele dhe spitale në Hurghada”.
Grupi kishte paguar për një udhëtim detar në shkëmbinjtë koralorë në Hurghada, sipas raporteve të mediave lokale. Nëndetësja u nis nga një prej plazheve në zonën e shëtitores turistike, thanë zyrtarët egjiptianë për Associated Press.
Shërbimet e sigurisë dhe emergjencave iu përgjigjën incidentit, duke përfshirë 21 ambulanca, raportoi gazeta egjiptiane Al-Masry Al-Youm.
Nëndetësja kishte kryer udhëtime turistike në zonë për disa vite. Hurghada është një qytet turistik që shtrihet rreth 25 milje përgjatë bregut të Detit të Kuq të Egjiptit. (A2 Televizion)