Stuhia gjeomagnetike e parashikuar për sot më 16 Prill ka goditur fushën magnetike të Tokës një ditë më parë rreth orës 19:30 me orën tonë. Sipas mediave ndërkombëtare, që i referohen Spaceweather.com, gjatë natës ka qenë me intensitet të ulët G1 dhe G2, ndërsa pritet të jetë më e fortë se parashikimi dhe do të vazhdojë deri më 17 prill.
"Në realitet, sipas Qendrës gjermane të Helmholtz për Gjeoshkencat (GFZ), klasa G3 tashmë është arritur. Sipas vlerave të tyre, ka pasur dy kulme të dukshme në intensitet midis orës 19:00 dhe 19:30 dhe midis orës 22:00 dhe 23:00 të 15 prillit. Për momentin është në një fazë pakësimi”, tha për ANSA-n Mauro Messerotti, profesor i Meteorologjisë Hapësinore në Universitetin e Triestes.
GFZ mat intensitetin e stuhive gjeomagnetike duke përdorur një sistem klasifikimi që është i ndryshëm nga ai i Qendrës së Parashikimit të Motit Hapësinor të agjencisë amerikane NOAA. Ai bazohet në të ashtuquajturin 'indeksi K ', i cili mund të marrë vlera midis 0 dhe 9. "Në rastin e stuhisë që po ndodh aktualisht dy majat kryesore të zbuluara tejkaluan vlerën 6 në rastin e parë dhe madje 7 në të dytin", thekoi profesori.
Stuhitë gjeomagnetike të këtij intensiteti mund të shkaktojnë probleme të vogla në linjat e energjisë elektrike dhe të ndryshojnë trajektoren e satelitëve në orbitën e ulët të Tokës. Mund të ketë gjithashtu ndërhyrje me sistemet e navigimit satelitor GPS dhe ndërprerjet e valëve të radios, përveç që Dritat Veriore janë të dukshme edhe në gjerësi të ulëta.
(A2 Televizion)