"Më e keqja kaloi, por asgjë nuk ka përfunduar", Ceuta rikthehet ngadalë në normalitet pas krizës së emigrantëve

Nga A2 CNN
2 Gusht 2026, 12:44 | Bota

Qyteti spanjoll i Ceutës po rikthehet gradualisht në normalitet, pasi u përball me një valë të paprecedentë emigrantësh, ku mbi 60 mijë persona mbërritën brenda dy ditësh, duke shkaktuar kaos dhe mbylljen e qytetit për 24 orë.

Dyqanet dhe lokalet kanë nisur të rihapin aktivitetin, megjithëse shumë prej tyre vazhdojnë të funksionojnë me masa shtesë sigurie. Banorët thonë se situata është përmirësuar, por frika mbetet se një krizë e ngjashme mund të përsëritet.

Carlos, një tregtar që jeton prej dekadash në Ceuta, kujton se ka përjetuar edhe krizën migratore të vitit 2021, por thekson se ngjarjet e ditëve të fundit kanë qenë shumë më të rënda.

"Problemi ishte numri i madh i njerëzve dhe mungesa e përgatitjes nga autoritetet. Ishte një katastrofë," u shpreh ai, duke kritikuar mënyrën se si u menaxhua situata, shkruan A2.

Edhe banorë të tjerë ndajnë të njëjtin shqetësim. Antonio dhe Margot, një çift pensionistësh, besojnë se kjo nuk do të jetë hera e fundit që qyteti përballet me një situatë të tillë.

"Kemi kaluar momentin më të vështirë, por nuk ka përfunduar. Kjo që ndodhi mund të ndodhë sërish" shprehen ata për “El Mundo”.

Ndër bizneset që nuk e ndërprenë plotësisht punën ishin farmacitë. Ali dhe Amal, dy farmaciste në Ceuta, tregojnë se u ofruan ndihmë dhjetëra emigrantëve që mbërritën në qytet.

"Sollën fëmijë, persona me diabet dhe të plagosur që kërkonin fasha e ilaçe. Shumica paguan për produktet, ndërsa të tjerëve ua dhamë falas," rrëfyen ato.

Ndërkohë, autoritetet spanjolle kanë nisur një operacion për kthimin e emigrantëve në vendin e origjinës. Megjithatë, qindra persona vazhdojnë të qëndrojnë në Ceuta, të strehuar në parqe, sheshe dhe zona të ndryshme të qytetit.

Forcat e Policisë Kombëtare, policia lokale dhe ushtria patrullojnë rrugët për të "bindur" emigrantët të largohen, ndërsa në disa lagje banorët kanë organizuar patrulla vullnetare për të garantuar sigurinë gjatë natës.

Pavarësisht rikthimit të pjesshëm të normalitetit, banorët e Ceutës thonë se pasiguria dhe shqetësimi vazhdojnë të jenë të pranishme, ndërsa autoritetet përballen me sfidën e menaxhimit të një prej krizave më të mëdha migratore që ka përjetuar qyteti. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos