
Irani ka nisur një ofensivë të paprecedentë në të gjithë Lindjen e Mesme, duke goditur objektiva amerikane në disa shtete njëkohësisht, në një përshkallëzim dramatik të konfliktit me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin.
Shpërthime janë raportuar nga brigjet e Dubait në Emiratet e Bashkuara Arabe deri në rrugët e Dohas në Katar. Deri tani nuk është e qartë nëse shpërthimet janë rezultat i raketave që janë interceptuar nga sistemet e mbrojtjes ajrore apo kanë goditur objektivat e tyre.
Sipas vlerësimeve paraprake, regjimi iranian e sheh këtë moment si ekzistencial dhe po vepron me shpejtësi dhe agresivitet të lartë. Në qershor, kur SHBA-ja dhe Izraeli goditën Iranin, objektiv ishte arsenali i raketave balistike, duke dëmtuar aftësinë e Teheranit për kundërpërgjigje. Tashmë, Irani mund të jetë duke tentuar të përdorë kapacitetet e mbetura përpara se ato të shkatërrohen, shkruan A2 CNN.
Raportohet se çdo vend që strehon baza ushtarake amerikane konsiderohet objektiv potencial. Përveç Emirateve dhe Katarit, në listën e vendeve të rrezikuara përfshihen edhe Bahreini dhe Kuvajti, ndërsa nuk përjashtohet që sulmet të shtrihen edhe më tej.
Zhvillimet po evoluojnë me shpejtësi, ndërsa rajoni përballet me një nga momentet më të rrezikshme të viteve të fundit, me pasoja të paparashikueshme për sigurinë rajonale dhe globale. (A2 Televizion)