Irani: Dhjetëra nxënëse të vrara nga sulmet e SHBA dhe Izraelit

Nga A2 CNN
28 Shkurt 2026, 14:56 | Bota

Irani: Dhjetëra nxënëse të vrara nga sulmet e SHBA dhe

Media shtetërore e Iranit pretendon se dhjetëra nxënëse janë vrarë pas një sulmi që goditi një shkollë për vajza në jug të vendit, gjatë ofensivës së fundit që, sipas Teheranit, u krye SHBA dhe Izraeli.

Sipas agjencisë iraniane Mehr, të paktën 57 nxënëse humbën jetën dhe dhjetëra të tjera mbetën të bllokuara nën rrënoja pas goditjes në qytetin Minab, në provincën Hormozgan. Më herët, guvernatori i qarkut Minab kishte deklaruar se 24 nxënëse ishin vrarë.

Raportimet nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur nga CNN, që ka bërë të ditur se ka kërkuar koment nga ushtria amerikane dhe ajo izraelite, ndërsa Pentagoni deklaroi se nuk ka asgjë për të shtuar për momentin.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmael Baqaie, e cilësoi sulmin si “akt flagrant dhe të pajustifikuar agresioni”, duke pretenduar se “dhjetëra vajza të reja të pafajshme” u vranë ose u plagosën në shkollën e goditur, shkruan A2 CNN.

Një tjetër agjenci iraniane publikoi pamje që pretendohet se tregojnë dëme të mëdha në godinë, me tym që ngrihet nga ndërtesa dhe vinça që largojnë mbetjet.

E shtuna shënon ditën e parë të javës mësimore në Iran. Ndërkohë, sipas mediave iraniane, dy nxënës të shkollës së mesme humbën jetën edhe në një sulm të veçantë me raketë në Teheran. Situata mbetet e tensionuar, ndërsa informacionet nga terreni janë të kufizuara dhe të pa verifikuara në mënyrë të pavarur. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos