Trump u bën thirrje iranianëve: Merrni kontrollin e qeverisë suaj

Nga A2 CNN
28 Shkurt 2026, 10:12 | Bota

Presidenti i Shtetet e Bashkuara, Donald Trump, u bëri thirrje qytetarëve të Iranit që të “marrin në dorë qeverinë e tyre”, në një video-mesazh të publikuar pas nisjes së operacioneve ushtarake amerikane ndaj Teheranit.

“Në momentin që të përfundojmë, merrni qeverinë tuaj. Do të jetë e juaja për ta marrë. Kjo ndoshta do të jetë mundësia juaj e vetme për breza me radhë,” deklaroi Trump.

Ai iu drejtua gjithashtu forcave iraniane të sigurisë, duke paralajmëruar se do t’u ofrohej “imunitet” nëse dorëzonin armët, në të kundërt “do të përballen me vdekje të sigurt”. Deklaratat përbëjnë një nga qëndrimet më të drejtpërdrejta të presidentit amerikan për ndryshim regjimi në Iran.

Në fillim të janarit, Trump kishte kërcënuar me bombardime ndaj Iranit, ndërsa forcat e sigurisë po shtypnin protesta mbarëkombëtare kundër qeverisë. Sipas aktivistëve të të drejtave të njeriut, gjatë atyre përplasjeve u vranë të paktën 6,480 persona. Presidenti paralajmëroi se përgjegjësit “do të paguajnë një çmim të madh” dhe u tha protestuesve se “ndihma është rrugës”.

Megjithatë, disa ditë më vonë, ai deklaroi se kishte marrë garanci nga autoritetet iraniane se “vrasjet kanë ndaluar”, ndërsa fokusi i administratës së tij u zhvendos te programi bërthamor iranian, i cili prej vitesh është në qendër të një mosmarrëveshjeje të gjatë mes Teheranit dhe vendeve perëndimore. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos