
Pas zhvillimeve të fundit në Lindjen e Mesme, ku Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli kanë ndërmarrë sulme ndaj Iranit, duke rritur ndjeshëm tensionet në rajon, ka reaguar Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë.
Përmes një njoftimi zyrtar, MEPJ u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë që ndodhen në Izrael të tregojnë kujdes të shtuar dhe të ndjekin me përpikëri udhëzimet e autoriteteve vendore.
“Në vijim të situatës së jashtëzakonshme, u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë që ndodhen në Izrael të tregojnë kujdes të shtuar, të ndjekin me vëmendje njoftimet zyrtare dhe të respektojnë udhëzimet e sigurisë së autoriteteve vendore,” thuhet në reagim.
Ministria bën me dije se Ambasada Shqiptare në Tel Aviv po ndjek nga afër zhvillimet dhe është në dispozicion të plotë të qytetarëve shqiptarë që ndodhen atje, duke qenë në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet izraelite.
Për çdo nevojë emergjente, qytetarët shqiptarë që gjenden në Izrael mund të kontaktojnë në numrat:
+972 54 904 2813
+972 54 480 6601
Autoritetet theksojnë se këto kontakte duhet të përdoren vetëm nga qytetarët që ndodhen aktualisht në Izrael dhe nuk janë të destinuara për informacion për median.
MEPJ njofton se do të vijojë të informojë rregullisht opinionin publik për çdo zhvillim të mëtejshëm lidhur me situatën. (A2 Televizion)