
Konflikti midis ministrit të Jashtëm Johann Wadephul dhe kancelarit Friedrich Merz po bëhet gjithnjë e më i theksuar. Refugjatët sirianë që jetojnë aktualisht në Gjermani nuk do të mund në gjendje të kthehen në atdheun e tyre në një afat të shkurtër. "Është vërtet e shumë e vështirë që të jetojë njeriu me dinjitet këtu", tha Wadephul gjatë një vizite të kohëve të fundit në një periferi të Damaskut, e cila është prekur rëndë nga lufta civile.
Ndërsa Kancelari deklaroi: "Lufta civile në Siri ka mbaruar. Nuk ka më arsye për azil në Gjermani, dhe kjo është arsyeja pse ne mund të fillojmë kthimin e refugjatëve".
Kjo tingëllonte si një qortim për kolegun e tij konservator të CDU-së, megjithëse Merz u përpoq ta minimizonte konfliktin me ministrin. Wadepful, tha ai, kishte vizituar një pjesë veçanërisht të dëmtuar rëndë të Damaskut. Zëdhënësi i qeverisë Stefan Cornelius gjithashtu u përpoq të qetësonte konfliktin: "Sigurisht që kancelari e mbështet ministrin e Jashtëm".
Frika nga Alternativa për Gjermaninë
Ndërkohë kritikët nga CDU dhe CSU flasin hapur prej ditësh, përfshirë edhe ministrin e Brendshëm Alexander Dobrindtnga CSU. Ai beson se nuk ka bazë për të kundërshtuar kthimin e refugjatëve në Siri. Jürgen Krings, nënkryetar i grupit parlamentar CDU/CSU në Bundestag, i tha revistës Stern: "Me fundin e luftës civile në Siri, nuk ka më bazë për mbrojtjen e refugjatëve. Prandaj, lejet aktuale të qëndrimit humanitar duhet të shfuqizohen së shpejti."
Kryetarët e CDU-së të Saksoni-Anhalt dhe Baden-Vyrtemberg kanë shprehur pikëpamje të ngjashme dhe kanë bërë thirrje për kthimin e shpejtë të refugjatëve sirianë. Vendosmëria e tyre për të kundërshtuar ministrin e Jashtëm ka edhe një sfond politik: zgjedhjet do të mbahen vitin e ardhshëm në landet e tyre.
CDU është nën presion nga AfD, e cila me qëndrimin e saj të pakompromis ndaj refugjatëve, po shënon rritje tek votuesit. Në Saksoni-Anhalt, ajo është madje dukshëm përpara të tjerëve.
Politikanëve të CDU-së nuk u pëlqyen dilemat morale të Wadephul. Si provë për këtë, udhëheqësja e AfD-së, Alice Weidel, akuzoi CDU-në për "refuzimin e kthimeve".
"Duke pasur parasysh sondazhet aktuale, ka një nervozizëm të madh në BE", shkruan Henning Hof i Shoqatës Gjermane për Politikën e Jashtme për DW. "Seksione me ndikim të partisë besojnë se dinamika mund të përmbyset duke shtrënguar politikën e migracionit dhe për këtë arsye nuk duan të tregojnë dobësi". Ai paralajmëron se nuk është vetëm "çnjerëzore", por edhe "jorealiste" të besosh se rreth "një milion refugjatë sirianë, shumica e të cilëve janë të integruar mirë, mund të kthehen thjesht. Nuk ka kushte për këtë në Siri".
Edhe ligjërisht, vetëm një numër i vogël sirianësh që jetojnë në Gjermani mund të kthehen aktualisht. Megjithatë, ky fakt aktualisht luan pak rol në debatin brenda BE-së.
"Solidariteti i detyruar" me Izraelin...
Siria nuk është e vetmja çështje për të cilën Wadephul ka marrë kritika nga radhët e partisë së tij. Në gusht, ai tha se përfshirja në Ukrainë do ta "mbingarkonte” Bundeswehrin, gjë që dobësoi pozicionin negociues të Merz, ndërsa ai ishte në rrugë për në Uashington për bisedime me Presidentin e SHBA-së Donald Trump.
Wadephul më pas ngriti çështjen e supozuar të "solidaritetit të detyruar” të Gjermanisë me Izraelin, ndërsa kancelari mbrojti Izraelin nga akuzat për gjenocid. Josef Schuster, President i Këshillit Qendror të Hebrenjve në Gjermani, e quajti termin "solidaritet i detyruar” në gazetën Welt, si "shumë problematik dhe jo të përshtatshëm”.
Politikanë si Omid Nuripour nga partia "të Gjelbërit" besojnë se termi relativizon të ashtuquajturën "kauza shtetërore” e Gjermanisë ndaj Izraelit, pra mbështetjen e pakushtëzuar për sigurinë e tij.
Hof beson se "ministri i Jashtëm flet shpesh spontanisht dhe pa u menduar gjatë – për tema që nuk janë përgjegjësi e tij, siç është kontributi i Gjermanisë në ‘Koalicionin e të Vullnetshmëve', dhe mbingarkesa e Bundeswehrit. Më pak do të ishte më mirë.”
Në fund, Wadephul shkaktoi një incident diplomatik me Kinën, një nga partnerët më të rëndësishëm tregtarë të Gjermanisë. Ai e anuloi udhëtimin e tij në Pekin në minutën e fundit kur u bë e qartë se nuk i ishte ofruar asnjë takim tjetër përveç një takimi me homologun e tij kinez Wang Yi. Qeveria kineze u ofendua.
Rizgjohen kujtime nga raporti Baerbock - Scholz
Opozita po e shijon konfliktin e brendshëm në CDU. "Edhe në politikën e jashtme, kancelari dhe CDU duhet të pyesin veten se përse u duhet një ministër i jashtëm", tha Katharina Dröge, kryetare e grupit parlamentar të të Gjelbërve në Bundestag. "Sa herë që ministri i Jashtëm flet hapur, kolegët e tij të partisë e vënë menjëherë në dyshim."
Qeveria e re e koalicionit CDU/CSU-SPD që donte që gjërat të ishin më mirë se në qeverinë e mëparshme të kancelarit Olaf Scholz të SPD-së, tani po përballet me një situatë të ngjashme. Debatet publike të kujtojnë kohën e fërkimeve mes Scholz të SPD-së dhe ministres së Jashtme ekologjiste, Analene Baerbock.
Tani duket se ky është përsëri një problem, këtë herë midis kolegëve nga e njëjta parti CDU. "Politika e jashtme e shpallur me një burim të vetëm nuk po funksionon", thotë Henning Hof. "Kjo është, nga njëra anë, një pasojë e retorikës së Wadephul dhe nga ana tjetër, veprimet e pamjaftueshme të koordinuara të kancelarisë, e cila - të paktën në këtë rast - reagoi shumë vonë." DW (A2 Televizion)
