Rusia i bën thirrje SHBA-së: Qartësoni sinjalet kontradiktore për testimet bërthamore

Nga A2 CNN
7 Nëntor 2025, 16:38 | Bota

Rusia i bën thirrje SHBA-së: Qartësoni sinjalet kontradiktore

Rusia i bëri thirrje Shteteve të Bashkuara që të qartësojnë ato që i cilësoi si sinjale kontradiktore lidhur me rinisjen e testimeve bërthamore, duke thënë se një hap i tillë do të nxiste përgjigje nga Rusia dhe shtete të tjera.

Javën e kaluar presidenti amerikan, Donald Trump, urdhëroi ushtrinë që menjëherë të rinisë procesin për testimin e armëve bërthamore. Megjithatë, ai nuk e bëri të qartë nëse bëhej fjalë për testime të raketave me kapacitet bërthamor apo rinisjen e testimeve që përfshijnë edhe shpërthime të bombave bërthamore. Të dyja vendet nuk kanë kryer për më shumë se tri dekada testime me shpërthime.

“Nëse bëhet fjalë për këtë të fundit, do të krijonte dinamika negative dhe do të nxiste shtetet e tjera që të ndërmerrnin hapa si kundërpërgjigje, përfshirë Rusinë”, tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova.

“Për momentin ne vërejmë se sinjalet që vijnë nga Uashingtoni, që po shkaktojnë shqetësim të justifikueshëm në të gjitha anët e botës, mbeten kontradiktore dhe, sigurisht duhet të qartësohet kjo çështje”.

Duke përmendur mungesën e qartësisë rreth planeve amerikane, presidenti rus, Vladimir Putin, të mërkurën udhëzoi zyrtarët e lartë të përgatisin propozime që Rusia të zhvillojë një testim të mundshëm bërthamor në përgjigje të çdo testimi amerikan.

Rusia dhe SHBA-ja kanë arsenalet më të mëdha bërthamore në botë.

Traktati i fundit që ka mbetur mes Uashingtonit dhe Moskës, i cili kufizon numrin e kokave strategjike bërthamore në të dyja anët, pritet të skadojë për tre muaj.

Putin ka propozuar që të dyja palët të vazhdojnë të respektojnë kufijtë e traktatit edhe për një vit tjetër, por Trump ende nuk i është përgjigjur zyrtarisht kësaj ideje./ REL (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos