Mosmarrëveshje SHBA-Danimarkë për Groenlandën, Trump: Është jetike për sigurinë tonë, NATO të na udhëheqë ta arrijmë

Nga A2 CNN
15 Janar 2026, 07:50 | Bota

Mosmarrëveshje SHBA-Danimarkë për Groenlandën, Trump:

Danimarka ka paralajmëruar për një “mosmarrëveshje themelore” me Shtetet e Bashkuara pas bisedimeve në Shtëpinë e Bardhë mbi Groenlandën. Ministri i Jashtëm danez, Lars Løkke Rasmussen, tha se takimi me zëvendëspresidentin JD Vance dhe sekretarin e shtetit Marco Rubio ishte konstruktiv, por theksoi se këmbëngulja e presidentit Donald Trump për marrjen ose “pushtimin” e Groenlandës është e papranueshme.

“Presidenti i SHBA-së Trump po këmbëngulte në pushtimin e Grenlandës, gjë që ishte krejtësisht e papranueshme. E bëmë shumë, shumë të qartë se kjo nuk është në interes të Danimarkës," tha ai.

Trump përsëriti interesin e tij për të blerë ishullin e pasur me burime, një pozicion që ka tronditur aleatët në të gjithë Evropën dhe ka nxitur tensione me NATO-n.

Sipas presidentit amerikan Groenlanda është jetike për sigurinë kombëtare të SHBA-së, ndërsa nuk ka përjashtuar as përdorimin e forcës ushtarake. Trump ka argumentuar se kontrolli i territorit është kritik për sistemin e tij të planifikuar të mbrojtjes nga raketat, Golden Dome.

"Është jetike për Kupolën e Artë që po ndërtojmë", tha Trump në një postim në rrjetet sociale herët të mërkurën. "NATO duhet të jetë udhëheqëse që ne ta arrijmë atë."

Takimi njëorësh midis SHBA-së, Danimarkës dhe Groenlandës nuk arriti të sjellë një përparim të madh, megjithëse të gjitha palët ranë dakord të ngrinin një grup pune të nivelit të lartë për të diskutuar të ardhmen e territorit autonom danez.

Danimarka dhe Groenlanda janë të hapura për bashkëpunim më të madh me SHBA-në, përfshirë praninë ushtarake, por kundërshtojnë çdo ide për marrjen e territorit.

Ndërkohë, disa vende evropiane, përfshirë Suedinë, Gjermaninë, Francën dhe Mbretërinë e Bashkuar, shprehën mbështetje për Groenlandën dhe Danimarkën mes rritjes së tensioneve gjeopolitike në Arktik.

Sondazhet tregojnë se shumica e banorëve të Groenlandës dhe amerikanëve kundërshtojnë kalimin e ishullit nën kontrollin e SHBA-së.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos