Aleni, djali 5-vjeçar që ishte zhdukur të premten në mbrëmje nga një kamping në zonën e Latte në Itali, është gjetur gjallë dhe në gjendje të mirë shëndetësore. Lajmi u prit me lehtësim dhe emocione të forta nga familjarët, banorët dhe ekipet e kërkim-shpëtimit që prej orësh ishin angazhuar në kërkimet intensive.
Fëmija u gjet në një kodër pas fshatit Latte, rreth tre kilometra larg vendit të zhdukjes, pranë një shtëpie të fshatit, në një zonë të thyer që ngjitet mbi rrugën përballë një supermarketi. Ishin vullnetarët ata që e zbuluan i pari, duke ndjekur një drejtim të identifikuar nga kamerat e sigurisë dhe dëshmia e një kalimtari që kishte parë vogëlushin duke kaluar rrugën.
Në momentin e gjetjes, Aleni ishte i lodhur por në gjendje të mirë. Ai u mbajt në krahë nga shpëtimtarët dhe u shoqërua me duartrokitje nga një grup i vogël njerëzish që po prisnin me ankth lajme në sheshin e fshatit. Djali u dërgua menjëherë në spitalin e Imperias për kontrolle, ku mjekët konfirmuan se ai është në gjendje të mirë.
Babai i Allen-it, i mbushur me emocione, falënderoi të gjithë ata që ndihmuan: “Faleminderit të gjithëve, shkoi shumë mirë, shumë mirë. Faleminderit, faleminderit, faleminderit.” Ai përqafoi djalin e tij që ndodhej në furgonin e urgjencës dhe më pas u nis me të drejt spitalit, i shoqëruar nga karabinierët. (A2 Televizion)