Një nga njerëzit më të pasur dhe më të fuqishëm në botë humbi përballë kompanisë që vetë ndihmoi të krijonte. Elon Musk u përpoq të bindte gjykatën amerikane se OpenAI kishte tradhtuar misionin fillestar: zhvillimin e inteligjencës artificiale për të mirën e njerëzimit dhe jo për fitim. Por juria federale në Kaliforni vendosi kundër tij. Një vendim që nuk prek vetëm Musk dhe Sam Altmanin, por gjithë garën globale për inteligjencën artificiale, miliardat e investuara dhe pyetjen më të madhe të kohës sonë: Kush do ta kontrollojë AI-në?
Padia e Musk kishte në qendër pretendimin se OpenAI u largua nga filozofia fillestare jofitimprurëse dhe u kthye në një gjigant komercial i mbështetur nga Microsoft.
Sipas Musk, kjo ishte një tradhti ndaj marrëveshjes morale mbi të cilën ishte ngritur kompania.
Por juria nuk hyri thellë në debatin filozofik. Ajo u fokusua te koha. Sipas ligjit të Kalifornisë, Musk kishte vetëm tre vite afat për të ngritur padinë.
Stavros Gadinis tha: “Pra, afati i përgjithshëm që zbatohet në Kaliforni është tre vjet. Dhe këtu ai kishte një detyrë vërtet të vështirë, sepse duhej t’i tregonte dhe t’i bindte anëtarët e jurisë që të përdornin një kompetencë të bazuar në drejtësi dhe barazi, pra fuqinë për të korrigjuar një padrejtësi. Dhe është shumë e vështirë ta bindësh jurinë të korrigjojë këtë gabim apo padrejtësi, nëse ka kaluar shumë kohë që nga momenti kur gabimi është bërë i njohur dhe ai nuk kishte ngritur padi më herët.”
Pra, sipas ekspertëve ligjorë, problemi kryesor për Musk nuk ishte vetëm të provonte se OpenAI kishte gabuar. Ai duhej të bindte jurinë se kishte vepruar në kohë. Dhe kjo rezultoi pothuajse e pamundur.
Në sallën e gjyqit, përballja mes Elon Musk dhe OpenAI mori përmasa dramatike. Musk dëshmoi personalisht, ndërsa në sallë ndodhej edhe Sam Altman. Në fokus ishin email-et, diskutimet e viteve të para dhe pyetja nëse kishte ekzistuar ndonjëherë një marrëveshje reale për ta mbajtur OpenAI larg fitimit.
Procesi nxori në pah edhe një tjetër problem: mungesën e dokumenteve të qarta. Shumë prej pritshmërive për mënyrën si do të funksiononte OpenAI nuk ishin formalizuar kurrë.
Stavros Gadinis u shpreh: “Një aspekt shumë domethënës që doli nga ky gjyq është se shumë pak nga mënyra se si palët e kuptonin misionin e OpenAI ishte shkruar apo formalizuar qartë. Dhe mendoj se mesazhi kryesor që nxirret për qeverisjen e inteligjencës artificiale është se disa pritshmëri kyçe duhej të ishin shprehur në mënyrë të qartë dhe eksplicite. Kjo do ta kishte bërë shumë më të lehtë si marrjen e një vendimi nga gjykata, ashtu edhe ngritjen e padisë.”
Ky detaj mund të ketë pasoja shumë më të mëdha sesa vetë beteja Musk-OpenAI.
Sepse për herë të parë po shihet se kompanitë që ndërtojnë inteligjencën artificiale po lëvizin më shpejt sesa rregullat dhe ligjet që duhet t’i kontrollojnë.
Në qendër të debatit ishte edhe vetë natyra e inteligjencës artificiale moderne. Për të ndërtuar modele gjithnjë e më të avancuara nevojiten superkompjuterë, qendra të mëdha të dhënash dhe miliarda dollarë investime.
Dhe pikërisht këtu OpenAI argumentoi se partneriteti me Microsoft ishte i domosdoshëm.
“Mendoj se jam bindur që kufizimet strukturore në rastin e inteligjencës artificiale janë aq të forta, saqë ai detyrimisht duhej të tërhiqte Microsoft-in dhe gjithë këtë kapital shtesë. Ai ishte pjesë e një kompanie që po merrte pjesë në këtë garë gjigante, dhe ishte e pamundur të ecte përpara pa këtë investim. Dhe është një lloj gare ku ose del i pari, ndoshta i dyti, ose përndryshe mbetesh jashtë loje. Kjo dinamikë ishte aq e fuqishme sa, sipas meje, funksiononte në favorin e tij nga këndvështrimi i detyrimit fiduciar”, tha Stavros Gadinis.
Sipas ekspertëve, kjo është arsyeja pse modeli idealist i fillimit u përplas me realitetin brutal të garës teknologjike.
Nëse OpenAI do të mbetej vetëm një organizatë jofitimprurëse, mund të mos kishte kapacitetin financiar për të konkurruar me gjigantë si Google, Meta apo Kina.
Ironikisht, vetë Musk mund të ketë dobësuar argumentin e tij. Sepse ndërkohë që akuzonte OpenAI për komercializim, ai vetë po ndërtonte kompaninë e tij të AI-së dhe po kërkonte investime masive.
“Nëse ai vetë - përmes sipërmarrjeve të tij personale ose kompanive të tjera ku është i përfshirë - e kupton se dinamika konkurruese në fushën e inteligjencës artificiale është aq e fortë sa kërkon shumë kapital privat, atëherë kjo dobëson argumentin e tij se ai besonte që një strukturë jofitimprurëse, në thelb bamirëse, mund të konkurronte realisht dhe të fitonte në atë garë. Kështu, në njëfarë mënyre, sipërmarrjet e tij të tjera dukeshin sikur minonin bindjen e tij se një organizatë jofitimprurëse dhe bamirëse ishte e vetmja mënyrë për ta realizuar atë mision”, u shpreh Stavros Gadinis.
Vendimi i jurisë i hap rrugë OpenAI të vazhdojë planet e saj ambicioze. Sipas analistëve, kompania mund të ecë tani më lehtë drejt një oferte publike që potencialisht mund ta çojë vlerën e saj në rreth 1 trilion dollarë.
Por procesi ka lënë edhe plagë për Sam Altmanin. Gjatë gjyqit, disa dëshmitarë e përshkruan atë si manipulues dhe të pabesueshëm. Akuza që mund të ndikojnë në reputacionin e tij, edhe pse juridikisht OpenAI fitoi.
Megjithatë, pyetja më e madhe mbetet ende pa përgjigje.
Kush duhet ta kontrollojë inteligjencën artificiale?
Kompanitë private? Shtetet?
Apo një kombinim mes të dyjave?
Sepse AI nuk është më thjesht teknologji. Ajo po kthehet në një garë për pushtet ekonomik, ushtarak dhe gjeopolitik. (A2 Televizion)