
Italia, Franca dhe Kanadaja e kanë denoncuar si "të papranueshëm" trajtimin e aktivistëve pro-palestinezë që ndodheshin në bordin e një flotilje ndihmash me destinacion Gazën, e cila u ndalua nga forcat detare izraelite, shkruan A2CNN.
Ambasadorët e Izraelit në këto vende u thirrën pasi Ministri i Sigurisë Kombëtare i ekstremit të djathtë, Itamar Ben-Gvir, postoi një video ku tregonte veten duke u tallur me aktivistët e gjunjëzuar në tokë me duart e lidhura pas shpine.
Veprimet e tij tërhoqën gjithashtu kritika të rralla nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, i cili tha se ato “nuk ishin në përputhje me vlerat e Izraelit”. Një grup i të drejtave që përfaqëson 430 pjesëmarrësit nga më shumë se 40 vende që morën pjesë në Flotiljen Globale Sumud (GSF) kërkoi lirimin e tyre.
Flotilja, e cila mbante një sasi simbolike ndihmash, kishte për qëllim të nxirrte në pah kushtet e vështira për palestinezët në Gazën e shkatërruar nga lufta. Izraeli e hodhi poshtë këtë si një "mashtrim PR në shërbim të Hamasit". Më shumë se 50 anije që merrnin pjesë në flotilje u nisën nga Turqia të enjten e kaluar.
(A2 Televizion)