I nominuari i Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, si ambasador në Shqipëri, Wendt i bëri këto deklarata më 20 maj, gjatë paraqitjes së tij para Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit amerikan, në kuadër të procesit të konfirmimit për postin e ambasadorit në Tiranë.
Si fillim, Wendt foli për të kaluarën e tij ushtarake dhe për afrimitetin që kishte pasur dikur me trupën ushtarake shqiptare. Wendt kujtoi se si komandant i Forcave të Operacioneve Speciale të NATO-s kishte pasur nën komandë edhe pjesëtarë të Forcave Speciale të Shqipërisë. Ai tha se kishte punuar me ta në terren në Shqipëri, ndërsa në Afganistan kishte shërbyer si zëvendëskomandant i një komande rajonale ku përfshiheshin edhe trupa shqiptare.
“Kam parë se pjesëtarët e Forcave Speciale shqiptare mishërojnë shpirtin luftarak të heroit shqiptar Skënderbeut dhe se populli shqiptar është krenar, punëtor dhe mikpritës”, tha Wendt.
Ai tha se, nëse konfirmohet, do të punojë në katër drejtime kryesore, duke përfshirë sigurinë, mbrojtjen, ekonominë dhe funksionimin e Ambasadës amerikane në Shqipëri.
“Mbështetja për Shqipërinë në luftën kundër korrupsionit, si dhe kundër krimit të organizuar transnacional dhe trafikut të drogës të lidhur me kartelet e drogës në Amerikën Latine, do t’i bëjnë Amerikën dhe Shqipërinë më të sigurta”, tha Wendt.
Senatorja Jeanne Shaheen e pyeti Wendtin për rolin e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e njohur si SPAK, në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe për ndikimin që një institucion i tillë mund të ketë në klimën e investimeve në Shqipëri.
Wendt tha se, sipas informacioneve që ka lexuar, SPAK-u ka qenë “një organizatë shumë e vlefshme”, e pavarur dhe jopolitike.
“Nëse konfirmohem për rolin tim në Shqipëri, SPAK-u, nga gjithçka që kam lexuar, është një institucion shumë i vlefshëm, ka qenë apolitik, i pavarur. Prokurorët që shkojnë në SPAK kalojnë në një veting shumë të kujdesshëm dhe janë të mbikëqyrur nga organizata ndërkombëtare të monitorimit, SHBA dhe BE. Kanë Byronë e tyre të hetimit dhe gjykatat e tyre të posaçme. Nëse konfirmohem, mund të përkushtohem sigurisht për të çuar përpara që të vazhdojnë operacionet e pavarura për të luftuar organizatat kriminale transnacionale. Ndarja e informacioneve që ata bëjnë me ligjvënësit në SHBA ka qenë diçka shumë transparente. Kjo ka sjellë edhe ndjekjen ligjore të elementëve kriminalë në SHBA dhe luftimin e dërgesave të drogës nga Paraguai. Puna e tyre në këtë drejtim është kritike, për sa kohë që do të mbeten apolitikë dhe të pavarur. Kjo ndihmon edhe ambientin e biznesit për kompanitë amerikane në Shqipëri”, tha ai.
Senatori demokrat Chris Murphy e pyeti Wendtin nëse do të angazhohej që Ambasada amerikane në Tiranë të mos favorizojë biznese të lidhura me presidentin amerikan Donald Trump, familjen apo aleatët e tij. Murphy përmendi disa raste në rajon, përfshirë projektin e propozuar për ndërtimin e një hoteli Trump në Beograd, si dhe ndërtimin e një gazsjellësi në rajon nga “aleatë të Trumpit”.
“Nuk jam i njohur me investimet e familjes Trump në Shqipëri, por nëse ka pyetje për veprime ndërpersonale, ia drejtoni atyre. Puna ime është të jem i sigurt që të bëhet në mënyrën më të mirë dhe të ndiqet ligji. Dhe për korrupsionin jam dakord që SPAK, besoj se ka qenë efektiv. Mezi pres të shkoj aty që të kuptoj vërtet çfarë po ndodh dhe çfarë nuk po ndodh”, tha ai.
Senatori tha se ka edhe një rast në zhvillim në Shqipëri, ku, sipas tij, disa konsulentë politikë të presidentit amerikan “po fitojnë miliona” duke këshilluar opozitën në Shqipëri.
Wendt u propozua nga presidenti amerikan Donald Trump për të drejtuar misionin diplomatik amerikan në Tiranë. Seanca e 20 majit nuk përfshiu votim për Wendtin apo për të nominuarit e tjerë për poste në Australi, Norvegji, Korenë e Jugut dhe në Departamentin amerikan të Shtetit. Risch tha se senatorët mund të dorëzojnë pyetje shtesë me shkrim deri më 21 maj. Pas kësaj, nominimet pritet të shqyrtohen për votim në komitet dhe, nëse miratohen, t’i dërgohen Senatit të plotë. (A2 Televizion)