
Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) ka deklaruar se ka koordinuar kalimin e 26 anijeve përmes Ngushticës së Hormuzit gjatë 24 orëve të fundit. Sipas deklaratës së publikuar nga agjencia shtetërore iraniane ISNA, trafiku detar në këtë zonë po zhvillohet “me leje dhe në koordinim me Marinën e IRGC-së”.
Ngushtica e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme detare për transportin e naftës dhe energjisë në botë, ka qenë në qendër të tensioneve mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara, shkruan A2CNN.
Sipas raportimit, rreth një e pesta e eksporteve globale të energjisë kalonte më parë përmes kësaj ngushtice. Tensionet janë rritur pas përplasjeve politike dhe ekonomike mes Uashingtonit dhe Teheranit, përfshirë edhe kufizime ndaj porteve iraniane dhe eksportit të naftës.
Në të njëjtën kohë, negociatat mes SHBA-së dhe Iranit për situatën në rajon mbeten të bllokuara. Presidenti amerikan Donald Trump ka thënë se ka “përparim” në bisedime, por ka paralajmëruar mundësinë e veprimeve ushtarake nëse nuk arrihet marrëveshje. Nga ana tjetër, zyrtarë iranianë kanë paralajmëruar për përshkallëzim të mëtejshëm nëse konflikti vazhdon. (A2 Televizion)