
SHBA-të akuzojnë ish-udhëheqësin kubanez Raul Castro për komplot me qëllim vrasjen e shtetasve amerikanë dhe krime të tjera. Përplasja fatale e dy aeroplanëve në brigjet e Floridës më shumë se 30 vjet më parë është në qendër të akuzave penale kundër ish-liderit të Kubës, Raul Castro, të zbuluara nga SHBA-të gjatë ditës së sotme.
Sulmi i ushtrisë kubaneze ndaj një aeroplani civil shkaktoi një nga krizat më të mëdha midis Kubës dhe SHBA-së, me efekte që vazhdojnë deri më sot, shkruan A2CNN.
Avionët luftarakë kubanë qëlluan dy avionët e vegjël, të cilët i përkisnin një grupi kubanezësh të mërguar në Miami, në rrugën ujore midis kombit ishullor të Karaibeve dhe shtetit amerikan të Floridës, duke vrarë menjëherë të katër personat në bord.
Sulmi u prit me dënim të fortë ndërkombëtar, përfshirë edhe kundër Raul Castros, i cili në atë kohë ishte ministër i forcave të armatosura të Kubës.
Kjo çoi në shtrëngimin e sanksioneve nga SHBA-të kundër regjimit të vëllait të tij, Fidel Castro, dhe shkatërroi çdo mundësi të menjëhershme për dialog midis Kubës dhe administratës së Presidentit të SHBA-së, Bill Clinton.

Raúl Castro, vëllai i Fidel Castros, hoqi dorë zyrtarisht nga presidenca e Kubës dhe udhëheqja e Partisë Komuniste në vitin 2021, por ende konsiderohet nga shumë njerëz si njeriu më i fuqishëm në vend.
Aktakuza vjen në një kohë veçanërisht delikate për ishullin, që është zhytur në një krizë ekonomike dhe energjetike pas presionit të fundit nga administrata e Donald Trump dhe humbjes së mbështetjes nga Venezuela pas rrëzimit të ish-liderit Nicolás Maduro në janar.
Sulmi ajror ndodhi gjatë një krize të thellë ekonomike që goditi Kubën në vitet 1990 pas rënies së mbështetësit të saj kryesor ekonomik, Bashkimit Sovjetik. Ishulli u zhyt në një emergjencë ekstreme ekonomike, me ndërprerje të energjisë elektrike, mungesa ushqimore dhe mungesë karburanti.
Kjo krizë, të cilën shumë e krahasojnë me atë aktualen, nxiti mijëra kubanë të përpiqeshin të largoheshin nga ishulli për t'u ribashkuar me anëtarët e familjes në SHBA.
(A2 Televizion)