
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, vizitoi mëngjesin e sotëm në Bllokun e Sigurisë protestuesit e ndaluar gjatë protestës së djeshme. Gjatë vizitës, ajo u takua dhe bisedoi me ta për ngjarjet e protestës dhe rrethanat e ndalimit të tyre.
Në një deklaratë për mediat pas daljes, Tabaku kundërshtoi arrestimet, duke u shprehur se personat që kishte takuar nuk kishin dhunuar apo goditur asnjë objekt. Sipas saj, ata kishin ndërhyrë për të mbrojtur protestuesit e tjerë nga dhuna e ushtruar prej policisë.
Deputetja demokrate theksoi se veprimet e tyre kishin qenë në mbrojtje të qytetarëve që po protestonin. Ajo e lidhi ndalimin e tyre me mënyrën se si institucionet trajtojnë qytetarët që ngrenë zërin dhe kundërshtojnë qeverinë.
Sipas Tabakut, "arrestimet janë dëshmi e një sistemi që tregohet i fortë me të dobëtit dhe i dobët me të fortët". Në vlerësimin e saj, "ky rast pasqyron një standard të dyfishtë, ku qytetarët përballen me forcën e shtetit, ndërsa përballë të fortëve sistemi shfaqet i dobët". (A2 Televizion)