Natë tmerri përjetoi kryeqyteti ukrainas, Kiev dhe zonat përreth, teksa Rusia ndërmori një prej bombardimeve më të rënda që prej nisjes së luftës katërvjeçare, duke lëshuar edhe një raketë hipersonike Oreshnik, shkruan A2CNN.
Vala disaorëshe e bombardimeve shkaktoi dy viktima në Kiev dhe 2 në rrethina, ndërsa të paktën 100 të tjerë u plagosën sipas autoriteteve ukrainase. Siç thuhet, dhjetëra godina rezidenciale dhe shkolla u dëmtuan, shumë prej të cilave në qendër të Kievit. Teksa përmendi dëmet që sulmi rus kishte shkaktuar, presidenti Volodimir Zelenski u bëri thirrje aleatëve të veprojnë.
Volodymyr Zelenskiy u shpreh se: “Tre raketa ruse goditën një impiant furnizimi me ujë; Putin dogji një treg, dëmtoi dhjetëra pallate banimi dhe disa shkolla të zakonshme. Madje lëshoi edhe ‘Oreshnik’-un e tij ndaj Bila Tserkvës. Kanë dalë jashtë çdo kontrolli.”
Liderët europianë dënuan me termat më të ashpër përdorimin e raketës Oreshnik, në gjendje për të mbajtur koka bërthamore, duke e quajtur një përshkallëzim. Kaja Kallas, shefja e politikës së jashtme të BE-së, akuzoi Moskën se po përdor “taktika politike frikësimi” dhe se po luan rrezikshëm me pragun e luftës bërthamore”.
Sulmi shkaktoi dëme të vogla në godinën e kabinetit ukrainas dhe Ministrinë e Jashtme. U dëmtuan Muzeu Kombëtar i Arteve dhe salla filarmonike, të dyja në zemër të qytetit, bashkë me godina të tjera historike që u prekën nga sulmi.
Bombardimet erdhën pak pasi Putin u zotua për hakmarrje të fortë, në kundërpërgjigje të goditjes së një konvikti nga sulmet ukrainase. Më herët një tjetër valë e fortë bombardimesh vuri në shënjestër edhe kompleksin rezidencial ku banon ambasadori i Shqipërisë në Ukrainë, Ernal Filo.
Në një deklaratë, delegacioni i BE-së në Tiranë dënoi me ashpërsinë më të madhe sulmin me dron dhe raketa që rrezikoi jetën e ambasadorit shqiptar. “Ky sulm i pamatur na kujton edhe një herë brutalitetin e luftës së paprovokuar dhe të pajustifikuar të agresionit të Rusisë kundër Ukrainës. Ne jemi në solidaritet me Ukrainën dhe Shqipërinë”, lexohet në deklaratën e Delegacionit të BE-së në Shqipëri. (A2 Televizion)