
Të paktën tetë nxënës janë plagosur nga të shtënat me armë jashtë një shkolle të mesme në Turgutlu, në provincën Manisa në Turqinë perëndimore. Ngjarja ndodhi rreth orës 08:00 të mëngjesit të sotëm, ndërsa nxënësit po mbërrinin në shkollë.
Sipas raportimeve nga mediat turke, një person i armatosur iu afrua zonës pranë Shkollës së Mesme Teknike Profesionale dhe Anadollie Turgutlu Inci Uzmez dhe hapi zjarr. Të plagosurit u transportuan me ambulanca në Spitalin Shtetëror të Turgutlusë për të marrë ndihmë mjekësore.
Pas sulmit, autori i dyshuar u largua në këmbë, duke nxitur një operacion të gjerë kërkimi nga policia. Disa orë më vonë, forcat e rendit njoftuan arrestimin e të dyshuarit.
Mediat turke raportojnë gjithashtu se sulmi i armatosur përpara shkollës u krye nga një nxënës i klasës së 9-të, i cili shkoi në shkollë me një pushkë gjahu dhe shkaktoi terror. Mësohet se ngjarja ndodhi pas një sherri për një "vajzë" një ditë më parë. Nxënësi hapi zjarr me pushkë, duke synuar shokët e tij të shkollës me të cilët kishte një grindje.
Ngjarja vjen vetëm pak ditë pas nisjes së vitit të ri shkollor në Turqi, ndërsa autoritetet kanë shtuar masat e sigurisë në shkolla pas disa episodeve të rënda me armë gjatë muajve të fundit. (A2 Televizion)