Largimi i Joe Biden nga gara presidenciale ka sjellë reagime të shumta nga liderët dhe zyrtarët e lartë botërorë. Për ish Presidentin rus, Dmitry Medvedev largimi i Joe Biden nuk do të ndikojë në luftën në Ukrainë.
"Biden është jashtë. Ne i urojmë shëndet të mirë. Objektivat e operacionit special ushtarak do të arrihen", citohet të ketë thënë nënkryetari i Këshillit të Sigurimit të Rusisë, Dmitry Medvedev.
I njëjti reagim ka ardhur edhe nga Kremlini. "Kanë mbetur edhe katër muaj deri në zgjedhje. Është një periudhë e gjatë në të cilën mund të ndryshojnë shumë. Është më mirë të ndjekim nga afër se çfarë do të ndodhë më pas", tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
Nga ana e saj, Kina nuk ka asnjë koment për largimin nga gara të presidentit amerikan Joe Biden. Zëdhënësja Mao Ning tha se zgjedhjet janë një çështje e brendshme e Shteteve të Bashkuara dhe Ministria e Jashtme nuk do të komentojë mbi të.
“Ukraina do ti jetë gjithmonë mirënjohëse Joe Biden për ndihmën e dhënë në luftën kundër Rusisë.” Kështu u shpreh Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy në X.
Ndërkohë Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu shprehu mbështetjen e tij lidershipit të SHBA dhe do bashkëpunojë me këdo që vjen në Shtëpinë e Bardhë.
Ndërkohë për Ministrin e Jashtëm francez, Europa do të mbrojë interesat e saj. "Nuk do të ketë asnjë ndryshim. Evropa do të mbrojë interesat e saj, interesat e Evropës. Dhe ne do të analizojmë situatën me cilëndo administratë amerikane, për t'i mbrojtur ato interesa. Unë mendoj se kjo është në interes të evropianëve, por është gjithashtu në interes të stabilitetin global”, tha Stephane Sejourne.
Për shefin e politikës së jashtme të BE, largimi i Biden do të sjellë ndryshim mjaft të rëndësishëm në marrëdhëniet transatlantike.
"Amerikanët duhet të vendosin se kush duan të jenë në Shtëpinë e Bardhë, dhe sigurisht, jam i sigurt se do të jetë një ndryshim mjaft i rëndësishëm për marrëdhëniet transatlantike në varësi të asaj se kush është atje. Por janë qytetarët amerikanë që të vendosin”, u shpreh Joseph Borrell.
I njëjti qëndrim vjen edhe nga pala gjermane, sipas së cilëve janë vetë banorët e Shteteve të Bashkuara të cilët duhet të vendosin për të ardhmen e tyre. (A2 Televizion)