Presidenti i Kamerunit, Paul Biya, 92 vjeç, mbetet udhëheqësi më jetëgjatë në botë, dhe pas zgjedhjeve presidenciale të mbajtura këtë të diel, ai shpreson të zgjasë sundimin e tij deri në moshën 99-vjeçare. Pavarësisht moshës dhe mungesës së gjatë në publik, Biya kërkon një mandat të tetë, duke përfituar nga fragmentimi i opozitës dhe përjashtimi i rivalit kryesor, Maurice Kamto.
Që prej vitit 1982, kur Biya mori pushtetin, bota ka ndryshuar, por ai ka qëndruar i pandryshuar në majën e shtetit afrikan. Sipas “El País”, ndonëse ai mban titullin e kreut të shtetit, pushtetin real e ushtron rrethi i tij i ngushtë, që përfshin drejtorin e kabinetit Samuel Mvondo, sekretarin presidencial Ferdinand Ngoh dhe bashkëshorten e tij, Chantal Biya, 56 vjeçe, shkruan A2 CNN.
Shëndeti i presidentit është bërë temë e ndaluar në vend. Biya udhëton shpesh në Zvicër për trajtime mjekësore, ndërsa qeveria e konsideron gjendjen e tij “çështje sigurie kombëtare”.
Rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve do të shpallen më 26 tetor, ndërsa opozita përfaqësohet nga Issa Tchiroma Bakary, Bello Bouba Maigari dhe Cabral Libii, një 45-vjeçar që synon ndryshimin përmes rrjeteve sociale.
Kameruni përballet aktualisht me kriza të shumta, përfshirë kërcënimin xhihadist në veri, konfliktin separatist dhe rritjen e kostos së jetesës. (A2 Televizion)