Netanjahu nuk i beson “paqes” së Hamasit, orë ferri në Gaza, 28 të vrarë nga sulmet izraelite

Nga Xhevahir Qardaku
4 Shtator 2025, 16:14 | Bota

Të paktën 28 persona kanë vdekur nga sulmet e Ushtrisë së Izraelit në Rripin e Gazës në orët e fundit. Këtë e raporton media Al Jazeera, duke cituar burime nga mjekët, ndërsa saktëson se 4 prej viktimave po kërkonin ndihma humanitare.

Por ushtria izraelite thekson se nuk është e sigurtë që pushtimi i qytetit të Gazës do të bëjë që Hamasi të dorëzohet. Një përfaqësues i lartë i forcave të armatosura, gjatë një takimi me dyer të mbyllura me anëtarët e komisionit të jashtëm dhe të mbrojtjes të parlamentit ka konfirmuar se qyteti i Gazës ka një domethënie simbolike për grupimin palestinez.

Plani i qeverisë izraelite është që me pushtimin e atij territorit, të detyrojë Hamasin për të pranuar një armëpushim dhe liruar të gjitha pengjet. Kjo duket se është përmbushur pa përfunduar i gjithë operacioni. Përballë paralajmërimit të fortë të presidentit amerikan, Donald Trump, për lirimin e menjëhershëm të të gjitha pengjeve, Hamasi njoftoi se po kërkon një marrëveshje globale, që përfshin edhe përfundimin e luftës së përgjakshme.

Por kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, iu përgjigj me skepticizëm kësaj oferte duke e konsideruar një truk mediatik të radhës të Hamasit.

Lufta mund të përfundojë menjëherë, por vetëm me kushtet e vendosura nga qeveria jonë: lirim i të gjitha pengjeve, zhdukje të arsenalit të Hamasit, çmilitarizim i plotë i Rripit të Gazës, kontroll sigurie nga Izraeli në Rrip, institute administrimi civil alternativ që nuk përbën kërcënim për Izraelin”, nënvizoi Netanjahu.

Në Gaza kanë mbetur 20 pengje që janë ende gjallë dhe 28 të tjerë që kanë ndërruar jetë. Familjarët e tyre, që protestuan bashkë me mijëra izraelitë të tjerë në rrugët e vendit, theksuan se po kuptojnë që Hamasi po kërkon një marrëveshje për paqen më shumë se qeveria e tyre. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos