Vizita e dytë shtetërore dhe e paprecedentë e presidentit amerikan në Britaninë e Madhe nisi me pompozitet, por edhe protesta. Trump dhe bashkëshortja e tij Melania u mirëpritën nga mbreti Charles i III, mbretëresha Kamila, Princi William dhe princesha e Uellsit, Kate, në Kështjellën Winsdor teksa zbritën nga helikopteri Marine One.
Ndërsa presidenti shtrëngoi duart me Mbretin, një përshëndetje me 41 te shtëna u dëgjua njëkohësisht nga gjashtë topa të epokës së Luftës së Parë Botërore në lëndinën lindore të kështjellës, ndërsa një shfaqje e ngjashme ndodhi në Kullën e Londrës, në qendër të kryeqytetit.
Rreth 120 kuaj dhe 1,300 anëtarë të ushtrisë britanike morën pjesë në ceremoni, për të cilën, zyrtarët e Mbretërisë së Bashkuar thonë se shënoi pritjen më të madhe ceremoniale ushtarake për një vizitë shtetërore në Britani që mbahet mend ndonjëherë.
Çifti Trump dhe familja mbretërore u nisën më pas në një procesion me karroca drejt kështjellës gati 1,000-vjeçare të Winsdor. Britania po bën të pamundurën për të joshur dhe për të lajkatuar presidentin e paparashikueshëm të SHBA-së me një shfaqje të jashtëzakonshme pompoziteti dhe madhështie, ndërsa përpiqet ta mbajë atë në krah gjatë një sërë krizash ndërkombëtare.
Mikpritja ushtarake ishte edhe më e madhe se sa kur Mbretëresha Elizabeta e II, mirëpriti Trumpin në vizitën e tij të parë shtetërore, në vitin 2019. Por teksa presidenti vizitonte Windsor, protestuesit mbushën rrugën e Londrës në shenjë proteste për vizitën e tij.
1600 efektivë u angazhuan për tu marrë me vetëm një prej demonstratave në Londër, ndërsa 4 persona u arrestuan pasi projektuan imazhet e Trump dhe Epstein pranë kështjellës. Momenti kulmor i vizitës do të jetë banketi spektakolar në Sallën e Saint George, me fjalime nga mbreti Charles dhe Trump, e po ashtu menyja do të jetë një përfaqësim kulinar i marrëdhënies së veçantë.
E gjithë kjo është ideuar për të fituar zemrën e liderit amerikan, i cili këtë vit, u vetëshpall mbret në një postim në rrjetet sociale, ku shkroi “rroftë mbreti’’ poshtë një foto-je që e shfaqte me kurorë.
(A2 Televizion)