Kancelari Merz: Kritikat ndaj Izraelit në Gjermani janë bërë pretekst për urrejtje ndaj hebrenjve

Nga A2 CNN
17 Shtator 2025, 22:23 | Bota

Kancelari Merz: Kritikat ndaj Izraelit në Gjermani janë bërë

Kancelari gjerman, Friedrich Merz, tha të mërkurën se kritikat ndaj Izraelit po përdoren gjithnjë e më shumë në Gjermani si pretekst për të nxitur urrejtje ndaj hebrenjve.

Duke folur në një ceremoni për të shënuar 75-vjetorin e themelimit të Këshillit Qendror të Hebrenjve, Merz tha se antisemitizmi është bërë "më i zëshëm, më i hapur, më i pacipë dhe pothuajse çdo ditë më i dhunshëm" që nga sulmi i udhëhequr nga Hamasi më 7 tetor 2023 në Izrael, i cili e shkaktoi luftën në Gazë.

Hamasi është grup palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

"'Kritika ndaj Izraelit' dhe përmbysja më e vrazhdë e marrëdhënies viktimë-agresor po shndërrohet gjithnjë e më shumë në pretekst përmes të cilit përhapet helmi i antisemitizmit", tha ai.

Gjermania është furnizuesi i dytë më i madh i armëve për Izraelin pas Shteteve të Bashkuara, dhe ka qenë kamotshëm një nga mbështetësit më të fortë të tij, kryesisht për shkak të fajit historik për Holokaustin nazist – një politikë e njohur si "Staatsraison".

Megjithatë, muajin e kaluar, Gjermania pezulloi eksportin e armatimit që mund të përdoret në Rripin e Gazës për shkak të planit të Izraelit për ta zgjeruar fushatën ushtarake në enklavën palestineze.

Kjo është hera e parë që Gjermania ka pranuar t’i mohojë mbështetje ushtarake aleatit të vet të kamotshëm.

Ky vendim erdhi pas rritjes së trysnisë nga publiku dhe partneri i vogël i koalicionit qeveritar mbi krizën humanitare në Gazë, ku Izraeli ka kufizuar rëndë furnizimin me ushqim dhe ujë.

Në fjalimin e tij në Berlin të mërkurën, Merz përmendi këtë kthesë, duke thënë se kritika ndaj Qeverisë izraelite "duhet të jetë e mundur", por shtoi:

"Vendi ynë pëson dëm në shpirtin e vet kur kjo kritikë bëhet pretekst për urrejtje ndaj hebrenjve, ose madje nëse çon në kërkesën që Gjermania t’ia kthejë shpinën Izraelit"./ REL (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos