
Ushtria izraelite njoftoi se Irani ka lëshuar raketa drejt territorit të Izraelit, në kundërpërgjigje të sulmeve të ndërmarra më herët nga Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara.
Sipas deklaratës zyrtare të IDF, sirenat e alarmit janë aktivizuar në disa zona të vendit pasi u identifikuan raketa të lëshuara nga Irani drejt Izraelit. “Forcat Ajrore Izraelite po veprojnë për të interceptuar dhe goditur kërcënimet aty ku është e nevojshme për t’i neutralizuar ato,” thuhet në njoftim, shkruan A2 CNN.
Ushtria izraelite theksoi se mbrojtja ajrore “nuk është hermetike”, duke u bërë thirrje qytetarëve që të respektojnë me përpikëri udhëzimet e Komandës së Frontit të Brendshëm.
Ndërkohë, shpërthime të fuqishme janë raportuar në disa qytete iraniane, përfshirë Teheranin, Isfahanin, Qomin, Karajn dhe Kermanshahun. Pamjet e publikuara në media tregojnë re të dendura tymi mbi kryeqytetin iranian, ndërsa banorët janë parë duke kërkuar strehim.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi se operacioni i përbashkët me SHBA-në synon “eliminimin e kërcënimit ekzistencial” nga regjimi iranian. Ai falënderoi presidentin amerikan Donald Trump për “udhëheqjen historike” dhe theksoi se Irani nuk duhet të lejohet të pajiset me armë bërthamore. (A2 Televizion)