Trump konfirmon sulmet e SHBA në Iran: Misioni do të vazhdojë për sigurinë afatgjatë të Amerikës

Nga A2 CNN
28 Shkurt 2026, 09:22 | Bota

Trump konfirmon sulmet e SHBA në Iran: Misioni do të vazhdojë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, konfirmoi përmes një video-mesazhi në rrjetet sociale se ka nisur një fushatë ushtarake kundër Iranit, duke e cilësuar operacionin si “masiv dhe në vijim”.

“Në objektivin tonë është mbrojtja e popullit amerikan duke eliminuar kërcënimet e menjëhershme nga regjimi iranian”, tha Trump në mesazhin tetëminutësh. Ai e përshkroi regjimin në Teheran si një “diktaturë radikale” që, sipas tij, rrezikon drejtpërdrejt SHBA-në, trupat dhe bazat amerikane jashtë vendit, si dhe aleatët në mbarë botën, shkruan A2 CNN.

Presidenti paralajmëroi se operacioni synon shkatërrimin e kapaciteteve raketore të Iranit dhe goditjen e industrisë së tij të raketave. Ai pretendoi gjithashtu se Teherani po përpiqej të rindërtonte programin bërthamor pas një bombardimi amerikan në muajin qershor ndaj objekteve të tij bërthamore.

Trump pranoi se operacioni mund të ketë pasoja, duke theksuar se “jeta e ushtarëve amerikanë mund të jetë në rrezik” dhe se mund të ketë viktima, por shtoi se misioni është i nevojshëm për sigurinë afatgjatë të SHBA-së. Sipas tij, janë marrë të gjitha masat për të minimizuar rrezikun për personelin amerikan në rajon.

Në një pjesë të mesazhit, presidenti u bëri thirrje qytetarëve iranianë që, pas përfundimit të operacionit, “të marrin në dorë qeverinë e tyre”, duke e cilësuar këtë si një mundësi historike për ndryshim.

Ndërkohë, një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë bëri të ditur se Trump po i monitoron zhvillimet nga rezidenca e tij në Mar-a-Lago, në Florida, ndërsa forcat amerikane dhe ato të Izraeli vijojnë sulmet ndaj objektivave iraniane. Situata ka rritur ndjeshëm tensionet në Lindjen e Mesme dhe frikën për një përshkallëzim të mëtejshëm rajonal. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos