Ultrakonservatorja Sanae Takaichi është zgjedhur si kryeministre e re e Japonisë, duke u bërë gruaja e parë që merr këtë rol pas emërimit në fillim të muajit nën drejtimin e partisë liberal-demokrate.
Zgjedhja e saj erdhi që në raundin e parë të votimit në Dhomën e Ulët, falë mbështetjes së partnerit të ri të koalicionit, partisë japoneze të inovacionit. Ajo mundi kandidatin e opozitës ish-kryeministrin, Yoshihiko Noda. Takaichi zëvendëson Shigeru Ishiba, duke i dhënë fund vakuumit politik prej tre muajsh dhe një serie përplasjesh pas mundjes katastrofike të Partisë Liberal-Demokrate në korrik.
Ishiba, i cili qëndroi në detyrë vetëm një vit si kryeministër dha dorëheqjen së bashku me qeverinë duke i hapur rrugën pasardhëses. Por, pavarësisht marrëveshjes se Partisë Liberal-Demokrate me Partinë e djathtë të Invoacionit, që i dha Takaichit detyrën e kryeministres, aleanca ende e pakoaliduar nuk ka shumicën në të dyja dhomat e Parlamentit, çka mund ta bëjë të paqëndrueshme dhe të shkurtër qeverinë e saj.
Takaichi është kryeministrja e 4 në 5 vite në Japoni dhe ka qenë “e mbrojtura” e kryeministrit të ndjerë, Shinzo Abe. Adhuruese e shpallur e “Zonjës së Hekurt”, Margaret Thatcher, 64-vjeçarje është eksponente e kahut më konservator të partisë dhe fitorja e saj nuk përfaqëson ndonjë sukses nga këndvështrimi i lëvizjes feministe në Japoni. Në të kaluarën është shprehur në favor të trashëgimit të kurorës vetëm tek meshkujt dhe kundër mundësisë që gratë e martuara të ruajnë mbiemrin e vajzërisë.
Trump e ka cilësuar si person mjaft të respektuar dhe me mençuri të lartë. Sfidat e kryeministres së re do të jenë rimëkëmbja e ekonimisë dhe adresimi i marrëdhënies komplekse me SHBA. (A2 Televizion)