Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski paralajmëron ukrainasit të përgatiten për valë të reja sulmesh ruse kundër infrastrukturës me afrimin e dimrit, dhe tha se trupat prisnin një ofensivë të furishme në teatrin lindor të luftës.
Zelenski i bëri komentet gjatë një video-mesazhi të publikuar mbrëmjen e së dielës, një ditë pasi forcat ruse ndërmorën sulmin e parë raketor kundër kryeqytetit Kiev, në 7 javë.
“Jemi thuajse në gjysmën e nëntorit dhe duhet të përgatitemi për faktin se armiku mund të rrisë sulmet me dronë dhe raketa kundër infrastrukturës. Rusia po përgatitet për Ukrainën dhe këtu në Ukrainë e gjitha vëmendja duhet të përqendrohet tek mbrojtja, kundërpërgjigjia ndaj terroristeve dhe çdo gjë që Ukraina mund të bëjë për ti mbijetuar dimrit.”
Volodymyr Zelensky
Dimrin e kaluar, Rusia ndërmori një fushatë sulmesh ajrore ndaj hidrocentraleve dhe rrjeteve të energjisë, duke lënë pa drita e pa ngrohje rajone rreth vendit.
Ministri i Energjisë deklaroi se Ukraina ka rezerva të mjaftueshme energjetike për të kaluar dimrin por çështja është se sa do të prekin furnizimet, sulmet e ardhshme.
Autoritetet në Kiev raportojnë se Moska ka goditur infrastrukturën 60 herë në javët e fundit, në një sinjal se fushata e sulmeve mund të ketë nisur tashme.
Në fjalën e tij, Zelenski vlerësoi përpjekjet heroike të trupave që po mbrojnë Avdiivka, qytezë lindore nën presionin e avancimit të rusëve që prej mesit të tetorit. Sipas një zëdhënësi sulmet në qytezën e shndërruar në rrënoja ishin zbutur gjatë 24 orëve të fundit, por me gjasë do të intensifikoheshin ditët në vazhdim. (A2 Televizion)