Benjamin Netanyahu ka bërë të ditur se do ti rikthehet luftës me Libanin nëse Hezbollahu shkel marrëveshjen e armëpushimit. Kryeministri i Izraelit tha se këtë herë sulmet e tij do të shkojnë më thellë dhe do të synojnë vetë shtetin libanez.
"Ne jemi të përkushtuar për një armëpushim, por nuk do të tolerojmë shkeljet e armëpushimit nga pala tjetër. Edhe këtë e them në termat më të qartë të mundshëm: Nuk do të kthehemi në situatën që ishte në 6 tetor. Asnjë rrëke, asnjë qetës, asgjë. Veriu do të jetë i qetë, veriu do të përparojë, veriu do të lulëzojë dhe veriu do të jetë i sigurt", tha ai.
Të njëjtin reagim të ashpër ka pasur edhe Ministri i Mbrojtjes së Izraelit. Gjatë një vizite në zonën kufitare veriore të Izraelit, zyrtari i lartë i mbrojtjes tha se, “Nëse i kthehemi luftës, do të veprojmë me forcë, do të shkojmë më thellë dhe gjëja më e rëndësishme që ata duhet të dinë: se nuk do të ketë më një përjashtim për shtetin e Libanit”, tha ministri i Mbrojtjes, Israel Katz.
Pavarësisht armëpushimit të javës së kaluar, forcat izraelite kanë vazhduar sulmet kundër, luftëtarët e Hezbollahut që injorojnë marrëveshjen për të ndalur sulmet dhe për t'u tërhequr përtej lumit Litani, rreth 30 km nga kufiri. Të hënën, Hezbollahu bombardoi një post ushtarak izraelit, ndërsa autoritetet libaneze thanë se të paktën 12 persona u vranë në sulmet ajrore izraelite në Liban. Një person tjetër u vra të martën nga një sulm me dron, tha Libani.
Zyrtarët e lartë libanezë i kërkuan Uashingtonit dhe Parisit që të bëjnë presion ndaj Izraelit për të mbështetur armëpushimin, pas dhjetëra operacioneve ushtarake në tokën libaneze që Bejruti i ka konsideruar shkelje, i thanë Reuters të martën dy burime të larta politike libaneze.
Burimet thanë se kryeministri i përkohshëm Najib Mikati dhe kryetari i parlamentit Nabih Berri, një aleat i ngushtë i Hezbollahut që negocioi marrëveshjen në emër të Libanit, folën me zyrtarë në Shtëpinë e Bardhë dhe presidencën franceze të hënën vonë. (A2 Televizion)