Dronët rusë goditën një pikëkalim kufitar midis Ukrainës dhe Moldavisë në rajonin jugor të Odesës, duke vrarë dy persona. Kështu kanë bërë me dije zyrtarë ukrainas dhe moldavë; ky veprim është pjesë e përpjekjeve të Moskës për të goditur rrugët tregtare e logjistike dhe për të shkaktuar dëme ekonomike.
Forcat ruse gjithashtu e goditën sërish Kievin gjatë natës të së martës dhe në orët e së mërkurës me dronë reaktivë, duke shkaktuar zjarre të shumta dhe duke ndërprerë aktivitetin e bizneseve e shkollave, thanë zyrtarët ukrainas. Kryetari i bashkisë, Vitali Klitschko, tha se nëntë persona mbetën të plagosur nga sulmet në kryeqytet.
Dy civilë u vranë dhe tre të tjerë u plagosën në sulmin ndaj pikëkalimit kufitar Starokozache në Ukrainën jugperëndimore, njoftoi në Telegram guvernatori rajonal i Odesës, Oleh Kiper.
Pikëkalimi, që ndodhet rreth 1 km larg territorit moldav, përdoret çdo ditë nga mijëra njerëz dhe qindra automjete; zyrtarët moldavë thanë se lëvizja e pasagjerëve dhe automjeteve u ndërpre për shkak të sulmit.
"Me shumë gjasa, Rusia dëshiron të ndërpresë rrugët logjistike," tha për televizionin kombëtar Andriy Demchenko, zëdhënës i rojeve kufitare ukrainase.
Rusia ka goditur pesë pikëkalime kufitare gjatë javëve të fundit, sipas rojeve kufitare ukrainase: katër në kufirin me Moldavinë dhe një në kufirin me Rumaninë, vend anëtar i NATO-s.
Ky është një zhvillim shqetësues për Kievin, i cili është bërë më i varur nga rrugët tokësore për eksportet e tij, pasi sulmet ruse ndaj porteve në Detin e Zi kanë ndërprerë në masë të madhe eksportet detare. Nga ana tjetër, Ukraina ka sulmuar rafineritë, terminalet e naftës dhe depot tregtare ruse me dronë, shpesh thellë brenda territorit rus.
Presidenti Volodymyr Zelenskyy tha se forcat ukrainase kishin goditur një bazë detare, një terminal nafte, objekte portuale ushtarake dhe anije luftarake që transportonin raketa në Novorossiysk të Rusisë, dhe përsëriti thirrjen e tij për më shumë presion ndërkombëtar ndaj Moskës. (A2 Televizion)