Prokuroria e Posaçme ka bërë të ditur zyrtarisht shtimin e akuzës ndaj ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Për mediat u bë e ditur se ndaj saj rëndon edhe dyshimi për veprën e korrupsionit dhe pastrimit të parave.
Prokuroria e Posaçme ka bërë të ditur se hetimet janë kryer për një vilë në zonën e Palasës, me një sipërfaqe prej 478 m² truall, në të cilën 142 metra katrorë është gjurma e një ndërtese dykatëshe.
Prona në fjalë, sipas SPAK-ut, rezulton e regjistruar në emër të ish-futbollistit të Kombëtares shqiptare, Igli Tares.
“Për të fshehur këtë pasuri të padeklaruar, e pandehura Belinda Balluku ka përdorur shtetasin Igli Tare, duke kryer veprime fiktive nëpërmjet kontratës së sipërmarrjes, datë 26.10.2020, në shumën 250,000 euro, vlerë që përfshinte investimin deri në ndërtimin e pasurisë në fazën e karabinasë”.
Më tej, në deklaratë, Prokuroria e Posaçme shton se ish-zëvendëskryeministrja ka përdorur sërish shtetasin Igli Tare, duke kryer veprime fiktive në lidhje me krijimin e dokumentacionit të pronësisë, ndërsa kontratën e shtatorit 2025 e cilëson fiktive.
Gjithashtu, shtohet se prona është sekuestruar dhe se Prokuroria e Posaçme vijon të kryejë veprimet hetimore. (A2 Televizion)