Bisedimet bërthamore midis përfaqësuesve të qeverive nga Teherani, Berlini, Londra dhe Parisi në Zvicër përfunduan pa ndonjë përparim të martën (26.08.).
Pas sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit në qershor, qeveria e Teheranit bllokoi inspektimet ndërkombëtare të vendit. Qëllimi i takimit në Zvicër ishte të gjente mënyra për të rifilluar kontrollet ndërkombëtare mbi objektet bërthamore të Iranit. Pas sulmeve të SHBA dhe Izraelit në qershor, udhëheqësit e Teheranit bllokuan inspektimet ndërkombëtare të vendit. Nëse nuk arrihet një marrëveshje, Iranipërballet me rivendosjen e sanksioneve të pezulluara.
Vendet evropiane gjithashtu po bëjnë presion për një inspektim të uraniumit të pasuruar të vendit, i cili konsiderohet lëndë e parë për ndërtimin e një bombe atomike.
Irani përballet me rivendosjen e sanksioneve
Irani ka mohuar për vite me radhë se dëshiron të zhvillojë armë bërthamore. Pas bisedimeve në Gjenevë, zëvendësministri i Jashtëm i Iranit Kazem Gharibabadi shkroi në platformën X se vendi i tij mbetet i hapur për diplomaci. Në të njëjtën kohë, ai paralajmëroi për pasojat e sanksioneve të reja. Evropianët pritet të marrin një vendim për këtë çështje deri në fund të muajit.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Ismail Baghai, deklaroi në televizionin shtetëror se palët kishin diskutuar pikëpamjet e tyre në takimin e Gjenevës.
"Ne i kemi paraqitur qëndrimet tona shumë qartë dhe me transparencë gjatë negociatave të sotme. Gjithashtu kemi dëgjuar argumentet e palës tjetër", tha Baghai për televizionin shtetëror. Nga perspektiva e Iranit, rivendosja e sanksioneve të OKB-së është e pajustifikuar, pohoi Baghai.
Trumpi e braktisi marrëveshjen
Në marrëveshjen bërthamore të Vjenës, Irani u zotua të kufizonte programin e tij bërthamor. Në këmbim, sanksionet do të hiqeshin.
Megjithatë, gjatë mandatit të tij të parë, Presidenti i SHBA-së Donald Trump e anuloi marrëveshjen, e cila ishte nënshkruar nën Presidentin demokrat Barack Obama. Në të njëjtën kohë, Trumpi vendosi sanksione të reja dhe më të ashpra kundër Iranit. Si rezultat, udhëheqësit iranianë vazhduan të ndiqnin pasurimin e uraniumit. DW (A2 Televizion)