Autoritetet në Minneapolis kanë njoftuar se kanë “neutralizuar” autorin e një sulmi me armë zjarri në shkollën katolike Annunciation. Ngjarja ndodhi në javën e parë të shkollës, duke shkaktuar panik te nxënësit, mësuesit dhe prindërit, shkruan A2 CNN.
Guvernatori Tim Walz, deklaroi se ishte informuar menjëherë për situatën dhe po ndjek nga afër zhvillimet. “Nuk ka më asnjë kërcënim aktiv për komunitetin. Po lutem për fëmijët dhe mësuesit tanë që u tronditën nga ky akt i tmerrshëm dhune”, tha ai.
Në vendngjarje ndodhen Forcat e Patrullës Shtetërore, Byroja e Hetimeve Kriminale e Minnesotës dhe agjentë të FBI-së, të cilët po bashkëpunojnë për hetimin e plotë të incidentit. Një zëdhënës i qendrës traumatike Hennepin Healthcare konfirmoi se po trajtojnë një “situatë emergjente”, pa dhënë detaje për numrin e të plagosurve.
Kryetari i Minneapolisit, Jacob Frey, po ashtu reagoi duke thënë se është “i informuar për aktin e dhunës” dhe se ekipi i emergjencës së qytetit është aktivizuar.
Shkolla katolike Annunciation është një institucion arsimor 8-vjeçar dhe e hëna shënoi ditën e parë të vitit shkollor për nxënësit. Hetimet po vazhdojnë për të zbardhur motivet dhe rrethanat e ngjarjes. (A2 Televizion)